ELBASAN -  Përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Elbasan, janë në mbështetje të Kishës Katolike  Shën Piu X, e cila rrezikon të prishet si pasojë e një vendimi të dhënë nga Gjykata e Lartë, qe ka vendosur që trualli ku ndodhet kisha t'i kalojë pronarit.
Perballe ketij vendimi, njëzëri ky komunitet ka shprehur indinjatën për gjykatat e vendit, pasi sipas tyre, kisha është e çertifikuar dhe e legalizuar dhe se familja që pretendon se e ka truallin është e veshur me pushtet. Në këtë kuadër, në një konferencë për shtyp, komunitetet fetarr në Elbasan i ka dërguar një kërkesë për dijeni kryeministrit Edi Rama si dhe kryeparlamentarit Ilir Meta, ku thuhet se "Ne, komunitetet fetare të Elbasanit ju vemë në dijeni dhe njëkohësisht kërkojmë ndihmë të menjëhershme nga isntitucionet që ju përfaqësoni për cënimin në mënyrë abuzive nga përfaqësues me pushtet të familjes Karaosmani të pronës së Kishës Katolike në Elbasan. Rasti i Famullisë Shën Piu X , e cila i kalon kompetencat e një famullie të Klerit Katolik, është precedent për të gjithë objektet e tjera të kultit në qytetin tonë. Ky rast cënon rëndë ushtrimin e besimit, imazhin publik të Shqipërisë për shkak të një të kaluare të egër të persekutimit të klerit dhe dhunon të drejtën themelore të ushtrimit të besimit, diçka kjo e sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë".
Ne deklarate theksohet se "më 5 shkurt 2015, Gjykata e Lartë vendosi lirimin e truallit nga ana e Kishës Katolike, me gjithë se ajo është ligjërisht pronare e çertifikuar, legalizuar nga shteti shqiptar dhe realisht ushtron aktivitetin e saj prej 23 vitesh. Ankesa jonë nuk ka të bëjë me mosnjohjen e vendimit të gjykatave, por duke njohur mënyrën se si funksionon ligji në Shqipëri dhe duke pasur parasysh se familja pretenduese është e veshur me pushtet, neve na lind dyshimi të mendojmë që ky vendim është i ndikuar, jo i drejtë dhe jo transparent. Për sa më sipër, do të informojmë tërë institucionet klerikale në botë, jo për të cënuar imazhin e vendit tonë, por për të parandaluar një herë e përgjithmonë cënimin e objekteve të kultit në Shqipëri dhe luajtjen me ndjenjat e besimtarëve".
Deklaratën e kane nenshkruar Myftiu Agim Duka si dhe Arben Ramkja, Atë Stavri Cipi e Atë Gjergji Trebicka nga Kisha Ortodokse, Dervish Ardit Selmani, nga Bashkësia Bektashiane si edhe Don Emilio Valente dhe Sokol Lulgjuraj përfaqësues të kishës katolike. Kisha është ndërtuar në vitin 1996 dhe është i vetmi objekt kulti i besimit katolik në qytetin e Elbasanit. /ATSH/