ELBASAN – Shkelja në kontratën e dhënies së një hapësire me qera për vjehrrën e kancelarit të Universitetit, ka bërë që të vihet nën hetim Rektori i Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, bashkë me drejtoren e Drejtorisë Juridike, Fatma Spahiu, ndërsa në pranga të vihet Kancelari i Universitetit, Eljan Hoxha dhe Filip Qosja, drejtor i Drejtorisë Ekonomike.
 
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, “ka nisur procedimi penal për drejtuesit më të lartë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ndërkohë që dy prej tyre janë arrestuar nga policia. Në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, sektori kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, pas një hetimi intensiv, në orët e para të mëngjesit të sotëm ka bërë të mundur arrestimin në flagrance të shtetasve:

Eljan Hoxha, 43 vjeç, banues në lagjen “Kala” Elbasan, me detyrë, Kancelar në Universitetin “Aleksander Xhuvani” Elbasan.
Filip Qosja, 49 vjeç, banues në lagjen “Viserion Xhuvani” Elbasan, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike në Universitetin “Aleksander Xhuvani” Elbasan”.
 
Po kështu, policia ka filluar dhe procedimi penal për:
Liman Varoshi, 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Rektor i Universitetit, “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.
Fatma Spahiu, 37 vjeç, banuese në Elbasan Drejtoreshë e Zyrës Juridike në këtë Universitet.
 
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, nga hetimet e policisë ka rezultuar se Rektori i Universitetit, Liman Varoshi, në bashkëpunim me Kancelarin e këtij Universiteti, Eljan Hoxha, kishin favorizuar, vjehrrën e kancelarit duke i dhënë për të shfrytëzuar me qira një hapësirë brenda ambjenteve të Fakultetit Ekonomik të këtij Universiteti.
 
Kontrata e lidhur ishte hartuar në favor të vjehrrës së kancelarit, Luljeta Xhuhani, pasi në të ishin parashikuar për shfrytëzim vetëm 60 metra katrorë, nga 165 metra që ishte në të vërtetë kjo hapësirë. Nga verifikimet rezultoi se Luljeta Xhuhani, kishte rreth 7 vjet që e ushtronte këtë aktivitet në mjediset e këtij fakulteti, për lokal Bar-Kafe.
 
Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale kontratat e lidhura për 5 vitet e fundit, midis Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të firmosura nga rektori Liman Varoshi dhe subjetit përkatës. Po kështu gjatë mëngjesit të sotë, janë ushtruar kontrolle në mjediset e lokalit, nga ku u konstatua se Luljeta Xhuhani bënte tregëti në kundërshtim me ligjin, duke fshehur të ardhurat, duke mospajisur klientët me kuponin tatimor si dhe duke mos regjistruar punonjësit të cilët punonin si kamarierë.
 
Ndaj shtetasve Eljan Hoxha dhe Filip Qose, u mor masa e arrestit në flagrancë ndërsa dy personat e tjerë, Liman Varoshi dhe Fatma Spahiu, procedohen në gjendje të lirë. Të katër këta shtetas akuzohen për veprat penale “shpërdorim detyre”, “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “falsifikim dokumentesh”.
 
Fillimisht u dyshua se personat e arrestuar së bashku me ata që ishin nën hetim, u dyshuan se, akuzoheshin për dhënie të diplomave false.
 
Lajmi fillimisht u publikua në orën 07:27 minuta dhe u përditësua në vazhdim

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)