Dokumenti më i vjetër arkeologjik që ruhet në Muzeun Etnografik të qytetit është basorelievi i skalitur në gur, stela me figurën e nuses ilire. Ajo i përket shekullit të II- III, dhe është gjetur në fshatin Tërbaç të Krrabës, nga disa fshatarë.
Një pjesë e kësaj zone vazhdon të ruajë këtë lloj veshje duke u përdorur në kostumet e grave të Krrabës, Funarit, si dhe Godoleshit. "Elemente të tjera të veshjes popullore të dokumentuara në zbulimet arkeologjike, janë edhe vargonjtë e mesit, tirqet, kallcet, që përdoren në kostumet e nuseve të malësisë së Shmilit, Krrabës dhe në atë të Shpatit", vijon Meksi.
Më vonë shfaqen opinga, xhoka, bruca, që vazhdojnë të përdoren në veshjet e Elbasanit. Opinga përdoret në të gjithë rajonin, ndërsa xhoka e zezë me krahë dhe pa krahë, përdoret në Elbasan, në malësinë e Krrabës së Tiranës, si dhe në Peqin. Tipike në Peqin, është veshja me jakuce e burrave të qytetit, të cilën e përdorte edhe Isuf Myzyri (kompozitor, Artist i Popullit).
-Në shekujt XVI - XVII, merr hov kostumi popullor i grave-
Në shekujt XVI - XVII me zhvillimin e zejtarisë, një zhvillim të madh mori përpunimi dhe tregëtimi i mëndafshit. Ai u përdor për eksport, por edhe si lëndë e parë për përgatitjen e kostumeve popullore të grave të qytetit. Ndaj kostumi shqiptarçe i grave të qytetit të Elbasanit, i huazuar më vonë nga gratë e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Peqinit, u bë kostumi mbizotërues i grave të Shqipërisë së Mesme.
Ai vazhdon të vishet nga gratë e kësaj zone të Shqipërisë dhe është kryesor në graderobën e ansambleve artistike dhe folklorike. Jehonë ky kostum ka bërë edhe në festivalet ndërkombëtare.
Shumëllojshëmria e kostumeve popullore në trevën e Elbasanit ka tërhequr interesimin e organizatave ndërkombëtare të Folkut Europian.
Etnologu Thanas Meksi thekson se "Elbasani është një nga trevat më të pasura etno-folklorike të Shqipërisë. Në Elbasan këndohet e kërcehet me shumë pasion kënga e vallja popullore qytetare dhe në të njënjtën kohë ruhen me shumë fanatizëm e krenari kostumet tradicionale popullore. Treva e Elbasanit numëron 37 lloje kostumesh popullore autentike. Në këtë trevë çdo 11 mijë banorë përfaqsohen me kostumin e tyre popullor .Vetëm në qytetin e Elbasanit këndohen 209 këngë popullore bazuar në krijuesit korifenj të kësaj muzike si, Isuf Myzyri, Leks Vini , Mustafa Bodini etj.
Kënga dhe vallja popullore elbasanase janë një pjesë e asaj pasurie të madhe të trashëgimisë kulturore të kësaj treve, e cila është prezente në çdo familje e që i shoqëron në çdo hap gëzimet e jetës së tyre.