ELBASAN- Biblioteka publike “Qemal Baholli” e Elbasanit mbushi 80 vjet nga përurimi i godinës së parë e ndërtuar me kontributin e familjes Baholli. Në një takim feste u sollën në vëmendje të të pranishmëve, përpjekjet dhe kontributi i familjes Baholli dhe komunitetit elbasanas për të themeluar një tempull të dijës dhe kulturës siç ishte biblioteka e përuruar në vitin 1935.
 
Në fjalën e saj para të pranishmëve drejtoresha aktuale e bibliotekës Drita Cankja u shpreh se Nazif Baholli përjetësoi dashurinë e të birit për librin, Qemal Bahollit, që u nda herët nga jeta në këtë godinë duke blerë edhe shumë tituj në fillesat e saj.
 
I pranishëm në këtë eveniment, kryetari i bashkisë Qazim Sejdini ndërsa shprehu vlerësimin për ata që kanë dhënë kontribut që kjo bibliotekë ti mbijetonte kohërave të vështira, u angazhua se do të rikthente emrin e bibliotekës tjetër të themeluar nga familja Çoçoli në lagjen “Vullnetari”.
 
Biblioteka "Qemal Baholli" u themelua nga Nazif Baholli, një pronar i madh në Elbasan, i cili pas vdekjes së të birit Qemal Baholli në vitin 1930, që ndiqte studimet në Liceun e Korçës, vendosi të përjetësonte emrin e të birit duke i dhuruar qytetit të Elbasanit një bibliotekë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)