ELBASAN - Arrest me burg ka dhënë Gjykata e Elbasanit për tre personat e arrestuar pak ditë më parë në kuadër të operacionit “Vahdimi” të akuzuar për trafik lëndësh narkotike.

Me kërkesë të Prokurorisë së këtij rrethi Gjykata la në burg Storado Sadushin, Erind Miraken dhe Andi Braçen.  Nga hetimi, ka rezultuar se këta tre persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgatisnin doza lënde narkotike heroinë dhe kokainë dhe i shisnin tek persona të ndryshëm. 

Mënyra e shitjes bëhej kryesisht me kontakte të drejtëpërdrejta me klientët, por edhe duke përdorur shërbimin "Taxi".

Gjithashtu, këta persona dyshohet se shisnin doza lëndësh narkotike edhe për të burgosur të ndryshëm në burgun e Peqinit ose merrnin porosi per shperndarje ne zona te ndryshme te Elbasanit dhe Gramshit nëpërmjet shtetasit Ervin Basha, i cili aktualisht po vuan dënimin me 8 vjet heqje lirie për veprën penale të "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake". 

Në fillimet e këtij hetimi, në bazë të veprimeve hetimore, janë arrestuar në flagrancë në Shtator 2014 dy shtetas të tjerë, konkretisht Almi Kryemadhi dhe Ervin Perizi, të cilët shisnin lëndë narkotike të llojit heroinë dhe kokainë tek shtetas të ndryshëm. Lëndën narkotike, këta shtetas e blinin tek personat e arrestuar fundjavën e kaluar.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)