ELBASAN - Prefekti i Elbasanit, Arben Kamami ka mbledhur sot Task Forcën për shitjen e mishit jashtë kushteve higjieno-sanitare. Kjo Task Forcë përbëhet nga përfaqësues të Drejtorisë së Shëndetit  Publik, tatim taksat, policia, Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Agjencia e Kontrollit të Ushqimit.

Në këtë takim merrte pjesë edhe drejtori i Atutoritetit Kombëtar të Ushqimit, Afrim Bakaj. Në fjalën e tij, prefekti Kamami tha se tregtimi i mishit jashtë kushteve higjieno-sanitare është dukuri jo vetëm në qytet, por edhe në komuna.

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Afrim Bakaj tha se aksioni është shtirë në disa qytete dhe kërkoi bashkëpunimin midis instuticioneve. Bakaj theksoi se duhet të ndërhyet edhe në shitjen e produkteve të qumëshit dhe fruta- perimeve në rrugë.

Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Elbasan, Zenun Bullari tha se janë ngritur dy grupe kontrolli dhe aksioni do të shtrihet në të gjithë qarkun, nga ku kërkoi mbështetje nga policia për dërgimin e përfaqësuesve të saj.

Fenomini i shitjes së mishit në tregje, në rrugë dhe në dyqanë, që nuk plotësojnë kushtet e higjienës, vazhdon të mbetet një problem shqetësues në qarkun e Elbasanit. 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)