ELBASAN - Mbyllen tetë dyqane mishi në qytetin e Elbasanit, ndërkohë që janë sekuestruar edhe 20 kilogramë sallam dhe 57 kilogramë qofte, të cilat ishin bërë gati për tregëtim pa dokumentet e origjinës, pa etiketë dhe fletën shoqëruese të analizave.

Ndërkaq, inspektorët e AKU-së vendosën dhe gjoba në 2 subjekte, me vlerë 50 dhe 100 mijë lekë (të reja). Dyqanet e tregëtimit të mishit, të cilat u bllokuan nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nuk plotësonin kushtet higjeno-sanitare, si dhe kishin mungesa të tjera, siç është ajo e dhomave frigoriferike, apo edhe problem me dokumentacionin.
 
Drejtori i Menaxhimit të Rriskut në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së, Florjan Pullazi, deklaroi se asnjë subjekt që shkel rregullat dhe nuk plotëson kushtet, nuk do të tolerohet. “Aksioni i Task Force dhe AKU-së do të vazhdojë pa ndalim, në të gjitha qarqet e vendit. Asnjë subjekt nuk do të tolerohet, ndërsa kontrollet dhe inspektimet do të jenë të rrepta e sistematike. E gjithë kjo bëhet, për të qenë sa më të sigurt në atë që konsumatori blen, me qëllim që siguria ushqimore të jetë në kushtet maksimale”, deklaroi Pullazi.

Ai u bëri thirrje të gjitha subjekteve të therjes apo të tregëtimit të mishit, se “nëse nuk kanë informacionin e duhur për dokumentacionin dhe kushtet që duhet të plotësojnë, t’u drejtohet drejtorive rajonale të AKU-së, me qëllim që të orientohen”.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)