ELBASAN-Gjykata ka vendosur masat e sigurisë për 7 të arrestuarit për korrupsion pak ditë më parë. Në burg pa afat ka mbetur Dekani i Universitetit Albert Riska, për shefen e Departamentit të Gazetarisë Elvira Lumi gjykata vendosi arrest me burg 60 ditë, ndërsa pedagogia Eriola Calja u la në arrest shtëpie. Në arrest shtëpie janë lënë edhe studenti Adem Ngjela dhe njëri nga sekserët, ndërsa studenti tjetër Marjus Calja me sekserin Petrit Kodra janë lënë në burg.

Pedagogët e Universitetit të Elbasanit  u arrestuan, pasi akuzohen se u merrnin para studentëve në këmbim të notave kaluese. Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Albert Riska si dhe dy pedagoget Elvira Lumi dhe Erjola Calja u arrestuan dy ditë më parë së bashku me dy studentë dhe dy sekserë.

Burime kofidenciale bënë me dije se Shefja e Departamentit të gazetarisë Elvira Lumi pas arrestit ka pësuar gjendje shoku e lidhur kjo me sëmundjen e hershme për të cilën merrte edhe mjekim.  Personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin dyshohet se në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve. Aksioni në fjalë erdhi në prag të sezonit të provimeve. Ndërkohë mësohet se organi i akuzës vijon hetimet për evidentimin e veprimtarisë kriminale edhe ndaj persona të tjerë.