ELBASAN, 19 Nëntor / ATSH-Miranda Sadiku/ -   Duke marrë shkas nga situata e reshjeve të dendura të shiut një natë më parë, por jo vetëm, prefekti i qarkut te Elbasanit, Arben Kamami, ka zhvilluar një mbledhje me shtabin e emergjencave civile, ku u ka kërkuar të pranishmëve të merren masat për përballimin me sukses të stinës së dimrit, duke bërë të mundur evitimin në kohë të dëmeve.
Të pranishmit kanë evidentuar problemet aktuale që janë krijuar nga reshjet e shiut si dhe kanë parashtruar një sërë masash që duhen marrë në rast emergjencash. Në mbledhje më shumë problematike u evidentua situata në qytetin e Gramshit, si dhe përroi i fshatit Selitë të Komunës Mollas, ku një natë më parë si pasojë e reshjeve të shiut ndryshoi rrjedhën e tij, por fatmirësisht si pasojë e ndërhyrjes së shpejtë të banorëve dhe shtabit të emergjencave nuk shkaktoi dëme tek familjet që ndodhen pranë tij.
Gjatë mbledhjes u bë me dije se problematike situata paraqitet edhe në disa akse kombëtare, ku për shkak të reshjeve të shiut shkaktohen rrëshkitje dherash nga kodrinat buzë rrugëve dhe u pa e arsyeshme që të ndërhyhet sa më parë për të mos patur probleme serioze në qarkullimin e mjeteve. Edhe në këtë mbledhje nuk u la në harresë përroi i Zaranikës, i cili për shkak të reshjeve të shumta në çdo stinë dimri rrezikon daljen nga shtrati, duke u kthyer në ankth për banorët që jetojnë shumë pranë përroit.
Nga ana e tij, prefekti Kamami kërkoi marrjen e masave me qëllim evitimin në kohë të dëmeve që mund të shkaktohen nga moti i keq. /a.ke/