ELBASAN - Mungesa e sinjalistikës në shumë akse rrugore nacionale, por edhe rurale në qarkun e Elbasanit, ishte qëllimi i një takimi që prefekti i qarkut, Arben Kamami zhvilloi këtë të premte me drejtues të Policisë dhe përfaqësues të Entit të Mirëmbajtjes së Rrugëve.

Kamami ngriti shqetësimin e mungesës së sinjalistikës rrugore dhe marrjen e masave për emergjencat në rrugë. Prefekti renditi disa prej segmenteve më problematike, të evidentuara nga strukturat e emergjencave civile në prefekturë. “Duke shprehur besimin tuaj, kërkoj ndërhyrjen e institucioneve që përfaqësoni, për të bërë të mundur plotësimin e sinjalistikës rrugore në vendet ku ajo mungon”, tha Kamami.

Drejtori i Sektorit të Qarkullimit Rrugor, Luan Shehaj, tha se "sinjalistika rrugore, në akset kombëtare të qarkut të Elbasanit është jashtë funksionit”. Ai i kërkoi Entit të Rrugëve që të ndërhyjnë në mënyrë urgjente për të vendosur barrierat mbrojtëse, si dhe sinjalistikën horizontale dhe atë vertikale, në rrugët nacionale.
      
Në këtë takim, u diskutuan edhe problemet e bllokimit të rrugëve gjatë stinës së dimririt, nga bora apo shkarjet e dherave, për të cilat Kamami kërkoi marrjen e masave për përballimin e situatave të vështira të pritëshme në stinën e ftohtë. Mirëmbajtja e rrugëve të qarkut të Elbasanit bëhet nga kompani private, të cilat në shumë raste nuk e kanë kryer si duhet punën për mirëmbajtjen e tyre.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)