/ ATSH- Miranda Sadiku - Festivali Folklorik Tipologjik i Këngës Popullore Qytetare i është rikthyer qytetit të Elbasanit në edicionin e tij të XIII. Ky festival e mori zanafillën pikërisht nga ky qytet dhe pas udhëtimit në të gjithë vendin ai u rikthye për të mbajtur të mbërthyer publikun elbasanas për tre netë më radhë në teatrin "Skampa".
I cilësuar si një nga aktivitetet kryesore të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike ky festival synon ruajtjen e vlerave folklorike të këngës qytetare. Këtë vit Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike ka bashkëpunuar me Bashkinë e Elbasanit për të sjellë pranë publikut vlerat folklorike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini e vlerësoi rikthimin e Festivalit në vendin e origjinës.

Në edicionin e sivjetshëm do të konkurojnë edhe këngëtarët e rinj, të cilët përçojnë këngën qytetare. Për herë të parë ky festival do të vijë me çmime në nder të tre figurave të mëdha si çmimi "Isuf Myzyri", "Lucie Miloti" dhe "Laver Bariu".

Në këtë edicion  do të marrin pjesë grupe folklorike nga Berati, Kavaja, Lushnja, Peshkopia, Shkodra, Vlora, Elbasani dhe Pogradeci. Gjithashtu ky festival do të përshëndetet edhe nga grupet folklorike të Gjakovës, Gjilanit dhe Tetovës. Për 3 ditë radhazi publiku elbasanas do të shijojë tingujt e kësaj muzike në Teatrin "Skampa".
Pjesë e këtyre grupeve janë figura të shquara të muzikës popullore qytetare si: Bujar Qamili, Mukades Çanga, Elida Koreshi, Valbona Hekurani, Floresha Debinja, Lirim Hoxha, Rozeta Paçuku, Agim Skara etj.

Konkurrentët do të vlerësohen nga një juri profesioniste. Gjatë këtij festivali do të ketë edhe aktivitete me qëllim popullarizimin dhe sensibilizimin e të rinjve në lidhje me trashëgiminë kulturore materiale dhe jomateriale.

Gjithashtu, po në kuadër të këtyre aktiviteteve, në Kishën e Shën Mërisë, në Kalanë e Elbasanit është zhvilluar ndarja e çmimeve për konkursin "Miku i Monumentit". Ky konkurs është shpallur në shkollat 9-vjeçare, që prej një muaji dhe fëmijët paraqitën vizatimet e tyre me temë, "Monumentet e Kulturës", të qytetit të tyre. Gjatë kësaj ekspozite grupet folklorike, konkurrente në festival prezantuan pjesët më të mira të repertorit të tyre për nxënësit e shkollave dhe qytetarët.