/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Policinë e Tiranës, kanë arrestuar dy shtetas, të cilët akuzohen se kanë vjedhur pjesë automjetesh në disa servise në Elbasan.
Sipas njoftimit të Policisë, mësohet se si rezultat i një pune operative, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasve, Rodrinjo Çekrezi, vjeç 26 dhe Flamur Zaimi, vjeç 26.
Këta dy shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin gjatë muajve të fundit kanë realizuar disa vjedhje në servise automjetesh në Cerrik dhe Elbasan. Autorët vidhnin pjesë këmbimi automjetesh, vegla pune dhe më pas i shisnin ato në Tiranë.
Sipas Policisë, këta shtetas në fshatin Kodër Bujars kanë vjedhur me thyerje pikën e servisit, në pronësi të shtetasit D.P, vjeç 26 dhe më pas i kanë transportuar sendet e vjedhura, me mjetin tip "Benz" me targa AA008 JB, në pronësi të shtetasit Rodrinjo Çekrezi.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, specialistet për krimet në Komisariatin e Policisë Elbasan kanë ndjekur në mënyrë intensive autorët e kësaj ngjarje, të cilët u arrestuan duke tentuar t'i shisnin sendet e vjedhura në Tiranë.
Nga veprimet e para hetimore, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura; një kompresor, një aparat saldimi, dy troko, si dhe një trapan, mjeti tip "Benz" me targa AA008 JB. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale "Vjedhja".