Dënimi me 17 muaj burg i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për pengim të drejtësisë është i padrejtë dhe nuk mbështetet në prova. Kështu u shpreh avokati Gent Gjini, i cili, në një lidhje nga Prishtina për emisionin “Studio Live” në Report TV, kritikoi vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe vuri në dyshim ligjshmërinë e përgjimeve të përdorura në proces. 

Avokati mbështeti edhe reagimin e ish-presidentit Thaçi, i cili e cilësoi vendimin politik dhe jo drejtësi. Sipas Gjinit, përgjimet nuk provojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Thaçit, ndërsa dëshmitarët nuk kanë deklaruar se janë ndikuar prej tij.

“Dënimi është i padrejtë dhe i pavend, që nuk përkon me provat e provuara dhe nuk plotëson elementin e dyshimit të arsyeshëm. Audioincizimet konsiderohen të paligjshme dhe duhet të shpallen të papranueshme. Nocioni ‘pengim i drejtësisë’ është i përgjithësuar. Aty ngërthehen shumë vepra të tjera penale. Në rastin e Thaçit, ai akuzohet se kanë zbuluar dëshmitarët që do të jepnin deklaratë në Hagë kundër tyre. Ai dyshohet se ka penguar prokurorinë të zhvillojë procedurat e procesit gjyqësor. Reagimi i Thaçit është i drejtë. Kuptohet që kjo nuk është drejtësi. Ne jemi dëshmitarë që kjo gjykatë është politike dhe e njëanshme. Ky dënim nuk ka kuptim. Provat janë të sajuara. Ky proces gjyqësor, vetë Haga e pranon që nuk dëgjohet zëri i Thaçit në përgjime. Mungon lidhja shkak-pasojë, sepse dëshmitarët nuk i kanë ndryshuar deklaratat dhe nuk kanë pranuar që janë ndikuar nga Thaçi”, u shpreh avokati.