ELBASAN, 2 Shkurt / ATSH-Miranda Sadiku - Si pasojë e situatës së rënduar nga reshjet e shiut, ku edhe u shkaktuan disa përmbytje për shkak të daljes nga shtrati të lumenjve, prefekti Arben Kamami ka mbledhur mesditën e kësaj të hëne Shtabin e Emergjencave Civile.
Në këtë mbledhje Kamami ka kërkuar gadishmëri të të gjithë institucioneve, ndërsa ka kërkuar përballimin me sukses të kësaj katastrofe natyrore. Sakaq në mbledhje u vunë në dukje edhe pasojat që shkaktuan reshjet e dendura të shiut ku më problematike situata paraqitet në fshatrat e rrethit të Librazhdit si edhe në disa komuna në Gramsh.
Në këtë qytete janë shfaqur problematika të mëdha për shkak të shembjes së urave nga prurjet e shumta të lumejve  dhe përrenjve, ku në komunën Kushovë si pasojë e shembjes së urës janë bllokuar 11 fshatra.
Gjithashtu probleme në qarkullim ka pasur edhe në aksin Papërr - Paulesh ku për shkak të rënies së gurëve nga masivët e kodrinave kanë shkaktuar problem në qarkullim. Edhe në akset Librazhd - Kthesat e Murrashit është thuajse e njëjta situatë, ndërsa problem është në fshatin Shelcan të Komunës Gjinar ku ka këputje të trupit të rrugës rreth 60 centimetra, ç'ka ka lënë të bllokuar banorët e kësaj komune në zonën e Shpatit.
Si pasojë e rritjes së nivelit të lumit Devoll, është bërë e mundur evakuimi i gjashtë familjeve që rrezikonin në këtë zonë, ndërsa edhe në qytetin e Librazhdit janë avkuar tre familje pasi ndodheshin në të njejtën situatë, në fshatin Xhyrë. Ndërkohë për shkak të motit të keq është shembur edhe një shkollë në fshatin Dranovicë në rrethin e Librazhdit, fatmiresisht nuk ka pasur femijë në godinë në momentin e shembjes. Moti i keq ka shkaktuar edhe probleme përsa i përket furnizimit me  energji elektrike ku dhjetera fshatrat në të gjithë qarkun e Elbasanit janë në errësirë.
Drejtori i Policisë Neritan Nallbati i pranishëm në këtë mbledhje ka pohuar se " kemi kaluar në gadishmëri të përforcuar në të treja turnet. Kemi marrë masa sidomos për këshillimin e drejtuesve të mjeteve në akset që paraqesin më shumë problem". Sakaq në fund të mbledhjes u lanë detyrat përkatëse, si edhe në rast se shirat vazhdojnë Prefekti ka kërkuar që të mblidhen sërisht me qëllim marrjen e masave në kohë dhe parandilimin e ndonjë incidenti shkaktuar nga përmbytjet. e,xh/ /a.g/