ELBASAN - Një 50 vjeçare me detyrë arkëtare në fshatin Shtërrmen të Elbasanit është proceduar penalisht pas kallëzimit të bërë nga 4 persona, me pretendimin e këtyre të fundit se kanë paguar faturat e energjisë, por se 50 vjeçarja nuk i ka hedhur në sistem.
 
Policia ka nisur procedimin penal ndaj shtetases me iniciale A.T, me detyrë arkëtare e postës Shtërrmen pasi shtetasit me iniciale B.P, 45 vjeç, I. Q, 38 vjeç, A. I, 61 vjeç, dhe shtetasi Th. T, 51 vjeç kanë bërë kallëzim ndaj saj.
 
Kjo pasi sipas policisë, ata pretendojnë se kanë paguar faturat e energjisë elektrike tek zyra Postare Shtërrmen ku ishte arkëtare A.T, e cila sipas tyre nuk i ka arkëtuar faturat dhe në këtë mënyrë ata rezultojnë debitorë.
 
Materialet në ngarkim të arkëtares i kanë kaluar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)