Prokurorja Xhaferi, e cila mësohet se ka rreth tre vite që është pjesë e organit të akuzës, pretendon se Dritan Gina, i ka hequr në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin për funksionimin dhe organizimin e Prokurorisë së Përgjithshme tre procedime penale. Sipas saj dosjet janë marrë pa dëshirën e prokurores. Sipas kallëzimit të Xhaferit, ka kërkuar që këto dosje ti rikthehen sërish asaj, por nuk i janë vënë në dispozicion.
E kontaktuar në telefon nga “Shqiptarja.com” prokurorja Amanda Xhaferi, konfirmoi depozitimin e kallëzimit në policinë e Elbasanit. Xhaferi sqaroi se çështja lidhet me tre dosje të cilat janë marrë në mënyrë arbitrare, pa dijeninë e saj dhe pa dëshirën e saj nga kryeprokurori Dritan Gina. Xhaferi nuk pranoi të japë shumë detaje se për çfarë bëhet fjalë konkretisht në këtë tre dosje, por tha se tashmë kallëzimi dhe dëshmia e saj, ndodhet në policinë e rrethit Elbasan.
Këto tre procedime penale, kanë qenë duke u hetuar pikërisht nga prokurorja Xhaferi, e cila ushtronte detyrën e saj pranë seksionit të Task-Forcës. Mirëpo pas ndryshimeve të seksioneve në këtë prokurori është bërë dhe një shpërndarje e re e dosjeve penale.
I kontaktuar në telefon, prokurori Dritan Gina, tha se asnjë dosje nuk është marrë me forcë dhe asnjë dosje nuk ka humbur, pasi çdo material i këtyre dosjeve ndodhet në prokurori. Dosjet janë shpërndarë në seksione të ndryshme, ku ato që ka pasur njësia Task-Forcë, i ka marrë seksioni për krimin-ekonomik pranë kësaj prokurorie.

(Amanda Xhaferi, prokurore)
dy.b/shqiptarja.com








