ELBASAN , 12 Shkurt / ATSH-Miranda Sadiku- Cilësia e punimeve në disa akse rrugore në qytetin e Elbasanit ka qenë objekti i akuzave të Kryetarit të Degës së PD -së Aurel Bylykbashi, i cili në një konferencë për shtyp ka hedhur akuza ndaj bashkisë dhe qeverisë që sipas tij kanë përvetësuar paratë e taksa paguesve.
" Rrugët e Rilindjes janë copëtuar, ku është kreu i qeverisë dhe ai i bashkisë të cilët nuk dalin më në qytet, pasi kur i nisën investimet dilnin çdo ditë. Investimet me paratë tona janë bërë shkel e shko, sepse paratë i futën në xhepat e tyre. Ku janë supervizorët dhe punonjësit e Bahskisë? Këtyre punimeve u doli vetëm boja e vijëzimeve por edhe e punimeve. Ndaj me të drejtë qytetarët shprehen që këto punime më mirë të mos ishin bërë", tha Bylykbashi.
Por ka qenë i menjëhershëm reagimi i kreut të Bashkisë Qazim Sejdini i cili është shprehur se asnjë nga rrugët që është investuar nuk është marrë ende në dorëzim nga Bashkia dhe nuk do të merren pa kaluar provën cilësore". Sipas Sejdinit " ata që e mbytën qytetin në plehra tani ndihen keq sepse qyteti po shndërrohet duke u bërë modern. Nuk pati asnjë investim për 8 vite, ndërkohë që ne përfituam disa investime edhe për vitin 2015 të cilat konsistojnë në rikonstruksionin e 100 fasadave të pallateve dhe në disa rrugë".
Sipas Sejdinit, " Kreu i PD Aurel Bylylbashi të falenderojë kryeministrin Edi Rama për investimet ashtu siç unë falenderova Sali Berishën për rrugën Elbasan Tiranë, dhe është mirë që të mos tallen me qytetarët port ë vlerësojnë punën që bëhet", tha Sejdini. Sipas tij " ishte pikërisht PD që e la Elbasnain për 8 vjet nën pushtetin e plehrave dhe falë investimeve të kësaj qeverie Elbasani do të marrë frymë". Gjithashtu Sejdini njoftoi qytetarët për disa investime të tjera të cilat bashkia e Elbasanit i ka përfituar për këtë vit, të cilat konsistojnë në restaurimin e disa fasadave të pallateve dhe në disa akse të tjera rrugore./a.g/










