ELBASAN, 22 Dhjetor /ATSH-Miranda Sadiku /- Me vendim të senatit të Universitetit "Aleksandër Xhuvani", në një ceremoni në prani ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, deputetëve të Elbasanit etj, është nderuar me titullin " Honoris Causa" Doktori i Shkencave, Ylli Cabiri.
Pasi ka bërë një prezantim të shkurtër të Dr. Ylli Cabiri, rektori i Universitetit, Liman Varoshi, ka ngritur lart vlerat e Universitetit të Elbasanit, i cili ndër vite ka nxjerrë figura të njohura në fushën e arsimit dhe shkencës. Edhe kreu i bashkisë, Qazim Sejdini, e ka cilësuar Ylli Cabirin si një ndër të paktët lobues për zhvillimin e qytetit të Elbasanit. Në vijim për veprimtarinë dhe aktivitetin e Doktorit të Shkencave Ylli Cabiri kanë kane folur Jani Dode dhe Peci Naqellari.
Në fjalën e saj përshendetëse, ministria e Arsimit, Lindita Nikolla, mes te tjerash tha se "ky titull është një vlerë e shtuar për Universitetin e Elbasanit. Nuk është vetëm mendimi im që tek Dr. Cabiri ndërthuren shumë komponentë, shekncore, profesionale, intelektuale po aq edhe njerëzore që rrallëherë i sheh tek një personalitet i vetëm, por me një begati dhe pasuri. Këtë ceremoni e bën të vecantë edhe kontributi i Dr. Cabirit jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufirit dhe ndërkohë një personazh që mbetet për të folur me vepra dhe një vlerë e tillë është nder që i shtohet senatait të këtij universiteti.
Ndërsa vetë Cabiri mes emocionesh tha se "qyteti i Elbasanit na rriti të gjithëve profesionalisht vendas dhe të ardhur. I lutem ministres së Arsimit që ta mbështesë Universitetin si pasardhëse të Normales që rrezaton në të gjithë trevat shqiptare, një universitet me katër deputetë". Ne fund, rektori i Universiteti dorezoi titullin "Honoris Causa". Ylli Cabiri paraqitet sot me 12 punime në fushën e studimit të celiqeve dhe në përgjithësi të kushteve të prodhimit të tyre. Ai është dekoruar në fushën e transformimeve strukturore të celiqeve me pak nikel dhe krom në universitetin e Parisit në vitin 1981. Dr. Ylli Cabiri gjatë viteve 1999 -2000 ka qenë anëtar i bordit të Drejtorëve të Fondacionit Shqiptaro - Amerikan të Zhvillimit, si edhe President i Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor. Ekspert ndërkombëtar pranë institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, Ballkan, Europë e më gjerë, ministër i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregëtisë ne Qeverine e Stabilitetit dhe më pas ne Qeverine Teknike (1991 - 1992). /a.ke/












