Një javë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri shkollor, por shumë shkolla kanë nevojë për ndërhyrje totale pasi kushtet në to janë jashtë çdo standarti.

E tillë është shkolla 'Jorgji Dilo' në Elbasan.

Pavarësisht se ajo ndodhet në mes të qytetit, për të shpesh janë ngritur në protestë, prindër dhe nxënës, pasi në këtë shkollë ndërhyrja e fundit ka qenë vetëm ndërrimi i karrigeve, por pjesa tjetër si muret, dyert dhe dritarët janë ato të kohës së monizmit.

Për muret janë bërë disa arnime, por jo rikonstrukion normal.

Pas protestave të prindërve, Bashkia e Elbasanit me dhjetra herë është shprehur se do të bëhet ndërhyrje dhe pritet një investim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, por deri tani kjo ka qenë vetëm sa për t’i mbyllur gojën atyre që protestonin ndërsa në realitet nuk është bërë asgjë.

Edhe këtë vit nxënësit do të vijojnë mësimin në shkollën 'Jorgji Dilo' e cila është edhe e rrezikshme për jetën e tyre pasi shumë tela janë të zbuluar dhe lagështira është prezente thuajse në çdo klasë.

Edhe këtë herë Bashkia e Elbasanit përmes zëdhënësit të saj dha përgjigjen e zakonshme, atë që do të ndërhyhet nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.
 
“Janë bërë punimë të pjesshme në disa shkolla.Masat janë marrë paraprakisht në disa shkolla por ka ende shkolla ku duhet të ndërhyhet. Besoj që ky vit do të jetë i fundit pasi ka ende probleme me shkollat në Elbasan” shprehet zëdhënësi Besim Dybeli.
 
Megjithatë në disa shkolla të Elbasanit janë bërë disa ndërhyrje, por shqetësim mbetën më shumë se në 9 objektë të dijës, përfshirë edhe shkollën Jorgji Dilo kanë nevojë për ndërhyrje totale.

[gallery]23754[/gallery]
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com