Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Elbasan, Ardjan Turku Elbasan organizoi  një takim me ish- të përndjekurit politikë. Të pranishmit që morën fjalën në këtë takim evidentuan gjendjen e rëndë të krijuar në mbarë vendin. Ata u shprehën se, " veç skamjes dhe varfërisë, e majta është duke terrorizuar njerëzit, duke i frikësuar dhe duke u bërë presion në mënyrë që të sundojë sa më gjatë. Sipas tyre metoda të tilla nuk kanë ekzistuar as në kohën e diktaturës.

Duke falenderuar pjesmarrësit për mbështetjen e garantuar kandidati i PD-së për bashkinë e Elbasanit, Ardjan Turku u shpreh se, fitorja e tij është shprehje e fitores së të mirës ndaj së keqes.
Turku është ndalur në gjendjen totalisht të mjeruar në të cilën ndodhet sot vendi. Sot sipas tij, "shqiptarët janë më të varfër se kurrë. Atyre u mungon liria e fjalës, u mungon qetësia, u mungon shpresa. Sot, nuk synohet mirqenia por pushteti dhe paraja".

Duke folur për fushatën që po zhvillon kandidati i PS-së, Qazim Sejdini ai nënvizoi se, "nuk po respektohet gara e ndershme pasi janë kapur institucionet, mediat, biznesi dhe gjithçka tjeter". Turku gjithashtu ka ngritur shqetësimin e blerjes së votes. Duke ju drejtuar të pranishmëve Turku u shpreh se " ish të përndjekurit vazhdojnë të mbeten një shtresë me shumë problem dhe që nuk e ka marrë atë që meriton". Por, ai ka premtuar se tek ai do gjejnë derën e hapur dhe se do të bëhet më e mira në interes të tyre./ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)