ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka dhënë pretencën “burgim të përjetshëm” për shtetasin Engjëll Ucaj, i cili akuzohet për vrasjen e dy shtetasve, konkretisht djalin e tij Sokol Ucaj, si edhe bashkëjetuesen e djalit Gulia Baldassari, e cila ishte shtetase italiane, ngjarje e ndodhur në 30 Janar 2013.

Në konkluzionet përfundimtare, të paraqitura ditën e djeshme para gjykatës, prokurori i çështjes Millan Laska, rindërtoi dinamikën e ngjarjes dhe paraqiti faktet dhe provat që vërtetojnë se personi i akuzuar e ka kryer veprën penale me dashje. Pavarësisht kundërshtimit të prokurorisë, gjykata pranoi kërkesën e avokatit të pandehurit për gjykim të shkurtuar.

Avokati i tij mbrojtës ka pranuar dy vrasjen e kryera nga klienti i tij, dhe për këtë qëllim ka kërkuar që seancat gjyqësore të jenë të shkurtuara, ndërsa ka kërkuar që të rinjihet edhe një herë me konkluzionet e nxjerra nga organi i akuzës, propozim i cili u morr parasysh nga trupi gjykues i kryesuar nga Pajtime Fetahu. Kjo e fundit i ka dhënë kohë avokatit mbrojtës datën 19 të këtij muaji ku edhe do të zhvillohet seanca përfundimtare e çështjes Ucaj. Me datë 30 janar të një viti më parë gjatë orëve të pasdites i pandehuri Engjëll Ucaj ishte konfliktuar me djalin e tij Sokol.

Engjëll Ucaj e kishte denoncuar djalin në Polici, dhe pas kësaj ngjarjeje familja kishte rënë në qetësi deri në orët e vona të mbrëmjes, kur edhe sërisht kishte nisur debati mes babë e bir. Sokol Ucaj kishte debatuar me babin e tij për faktin se pse ky i fundit e kishte denoncuar në Polici, dhe pas debatit, sherri agravoi me dhunë fizike mes tyre, deri në momentin kur Engjëll Ucaj merr armën tip kallash dhe qëllon në drejtim të djalit të tij duke e lënë të vdekur në vend.

Pas kësaj ai ka qëlluar edhe nusen e djalit të tij shetasen italiane, ku edhe kjo e fundit vdiq si pasojë e plumbave të marrë. Nga ekspertiza mjeko-ligjore, u përcaktuar se në trupin e viktimës Sokol Ucaj gjendeshin 5 plagë plumbi, ndërsa në trupin e viktimës Gulia Baldassari gjendeshin 4 plagë plumbi. Këto plumba janë qëlluar nga automatiku që u gjend në vendngjarje. Prokurori Millan Laskaj kërkoi dënimin e të pandehurit Engjëll Ucaj, me burgim të përjetshëm.

Shkrimi u publikua sot (07.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)