TIRANË, 26 Shkurt / ATSH/ - Elbasani sot konsiderohet si qyteti më i ndotur në Shqipëri. Për vitin 2014 matjet e Ministrisë së Mjedisit në ish-Kombinatin Metalurgjik, tregojnë se grimcat PM10 janë 62 mg për m3 kur normat e lejuara nga BE janë 40.
Numri i madh i personave që vuajnë nga sëmundjet respiratore në këtë qytet është tepër i lartë dhe shpesh ato kthehen në sëmundje tumorale.
E ndërsa Bashkia Elbasan po zgjidh problemin e mbetjeve urbane, problemi i ndotjes industriale godet çdo ditë, ndërsa institucionet vazhdojnë me burokracitë pa vendosur asnjë masë ndaj ndotësve të mëdhenj të mjedisit.
Ndonese në qytetin e Elbasanit tashmë  funksionon qendra e parë e kujdesit paliativ për tumoret, ajo nuk e zgjidh problemin. Qëndra është e kompletuar me personelin përkatës e të specializuar mjekësor. Matjet e bëra nëpërmjet mjetit lëvizës të monitorimit të ajrit që disponon ministria e Mjedisit, përcaktojnë edhe zona të veçanta me ndotje më të lartë, siç janë ato pranë kompanive të shkrirjes dhe përpunimit të metaleve të rënda. Banorët fajësojnë pikërishtë këto firma për ndotjen e lartë, sepse prej tyre pretendohet se filtrat e pastrimit të toksinave këto kompani i përdorin vetëm natën dhe jo gjatë gjithë kohës. /a.ke/