Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nuk pranoi ta konsideronte që situata në Elbasan po kthehet si në Palermo, ku krimet për pazaret e drogës godasin vazhdimisht. Gjatë një konference me ministren e drejtësisë Etilda Gjonaj dhe kreun e SPAK Arben Kraja, Lleshaj tha se nuk e pranon këtë metaforë dhe se ai nuk e shikon këtë situatë aq zi sa media, pasi ngjarjet janë zbardhur në përgjithësi në Elbasan. Lleshaj tha se do të godasin fortë në Elbasan, ku vetëm në 24 orët e fundit kanë ndodhur 2 vrasje.

"Elbasani nuk është Palermo, kjo metaforë është e pavend. Por meqë e përmendet Palermo është qytet evropian. Është e këshillueshme të mos dalim në përfundime të shpejta sidomos për ngjarjet kriminale, por kjo s’do të thotë se mund ta etiketojmë një qytet pavarësisht ngjarjeve në 24 orët e fundit. Dua të them se pothuajse nuk ka ngjarje të pazbardhura në Elbasan, nuk e shoh aq zi sa ju, jemi përgatitur për të goditur fortë aty, dhe do jetë pa zhurmë por me sukses", tha Lleshaj.

Mbrëmjen e djeshme u vra me thikë 23-vjeçari Regis Runaj, miku i ngushtë i Emiljano Ramazanit i varë po në Elbasan më 20 korrik, ndërsa mëngjesin e sotëm por me sende të forta u vra dhe Florian Lamce, 40 vjeç. Burime bëjnë me dije se ai ka qenë i dënuar me tre vite burg për akuzën e 'pengimit të zbardhjes së vërtetës'.  Për vrasjen e Lamces arrestuar Ardiano Hajdari 42 vjeç dhe Sokol Sanxhaktari 34 vjeç. Ky i fundit dhëndri i Qazim Sejdinit, ish-kryetarit të bashkisë së Elbasanit.