Ju jeni tashmë kryetari i ri i FRESSH. Është një peshë e rëndë për një 23 vjeçar?
Angazhimi im 5 vjeçar në forum, i cili ka nisur si një aktivist i thjeshtë, koordinator universitetesh e më pas si Sekretar i Përgjithshëm më ka dhënë eksperiencën e nevojshme për ta bërë më të lehtë këtë peshë, por jam i vetëdijshëm që është një përgjegjësi e madhe të cilën unë do e ndaj së bashku me ekipin tim. Unë jam i bindur, tani më shumë se kurrë se e vetmja formë me të cilën mund të drejtosh është ajo në skuadër dhe FRESSH ka një skuadër fantastike.
Procesi zgjedhor brenda forumit tuaj solli një qasje të re në kuadër të transparencës, por nuk ngeli pa u kontestuar. Referuar ndryshimit disa herë të tabelës së rezultateve të disa qarqeve nga KQZ-ja në Faqen zyrtare të FRESSH, qarkulluan zëra të manipulimit të rezultatit. Si i shpjegoni këto manovra shifrash?
Procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të FRESSH ka qenë më i hapuri dhe demokratiku që është zhvilluar në partitë politike në Shqipëri. Për të qenë në 8 finalistët na është dashur të kalojmë në 3 faza. Fillimisht u përzgjodhën 285 më të mirët midis 4200 aplikuesve, më pas fazën e votimit online, ku u kualifikuan 20 më të votuarit të cilët mobilizuan më shumë të rinj në komunitet si dhe gjysmëfinalen ku nga 20 më të votuarit u përzgjodhën 8 finalistët. Më pas jemi votuar sipas parimit një anëtar një votë ku gjithsecili prej nesh ka pasur mundësinë të ketë një vëzhgues pranë çdo qendre votimi në mënyrë që të monitorojë procesin. Besoj se ky është procesi më transparent që mund të jetë. KQZ është një institucion i cili është ngritur nga sekretariati i rinisë dhe ka qenë asnjanës në mënyrën më absolute. Ka ndodhur vetëm një korrigjim rezultati në një qark dhe asnjë gjë më tepër. Unë kam marr urime të përzemërta nga të 7 kandidatët e tjerë dhe ne menjëherë bashkë kemi filluar nga puna për të organizuar Samitin e Studentëve i cili do të mbahet në 17 nëntor.
Shpati Kolgega ishte rivali yt kryesor dhe tani ju jeni i detyruar të bashkëpunoni me të si numri dy i forumit. E shihni si rrezik për pushtetin tuaj?
Një nga arsyet për cilën unë besoj se kam qenë fitues i këtyre zgjedhjeve është bindja dhe filozofia ime e të punuarit, asaj në ekip. Siç e thash, unë besoj se e vetmja formë që një projekt të eci përpara është puna në ekip. Prandaj unë jam mëse i kënaqur që nga këto zgjedhje FRESSH ka përfituar një ekip i cili do të punoj çdo ditë për projektin e këtij forumi dhe jo individë të cilët duan ta shohin forumin si karrige pushteti për karrierë personale.
A ishe ti i preferuari i kryetarit të partisë, apo i ndonjë anëtari të rëndësishëm në Kryesinë e PS? Dua të them, a ju ndihmoi ndonjë prej “të rriturve” në PS të fitoni garën tuaj?
Zgjedhjet e zhvilluara në FRESSH janë një standard i ri në demokracinë brenda partive politike. Për këtë i jam mirënjohës Elisës dhe Pandit të cilët mbikëqyrën dhe ruajtën integritetin e procesit nga fillimi deri në ditën e fundit të tij. Gjithashtu është për tu vlerësuar paanshmëria dhe mospërfshirja në këtë proces e kryetarit Rama i cili nuk pati një të preferuar apo të përzgjedhur në këtë garë.
A keni pasur një komunikim me z. Rama pas fitores? Çfarë ju ka thënë ai?
Kryetari ka bërë një urim të përbashkët për të 8 kandidatët dhe porosia e tij ka qenë një dhe e vetme, formimi i një ekipi i cili do duhet dhe do të jetë zëri i të rinjve në vend.
Tashmë je në krye të shtyllës së dytë më të rëndësishme të Partisë. Zgjedhjet janë afër. Sa vendimmarrës dhe përcaktues do të jetë FRESSH në shtabet elektorale?
FRESSH në çdo zgjedhje është boshti mbi të cilin ndërtohet fushata. Të rinjtë e forumit janë ata të cilët e shpërndajnë më mirë mesazhin dhe programin elektoral të Partisë Socialiste dhe kjo është e provuar nga çdo fushate. Aftësia jonë tjetër është se ne jemi të vetmit të cilët mund të nxjerrim votën rinore. Të rinjtë sot janë apatik ndaj politikës apo politikanëve klasik. Ata mund të binden vetëm nga të rinjtë e tjerë. Unë besoj se FRESSH do vazhdoj traditën e mirë, madje duke e rritur edhe më shumë rolin dhe ndikimin e tij.
A do të kërkoni nga Edi Rama që ju, vetëm ose së bashku me disa përfaqësues të FRESSH të jeni në listën fituese të deputetëve të legjislacionit të ardhshëm?
Përfaqësimi politik në atë nivel është padyshim diçka fantastike por është diçka që nuk dhurohet por fitohet. Përfaqësimi ynë nëse do të vij në legjislacionin e ardhshëm do të vijë vetëm në saj të punës së FRESSH në komunitet. Ajo duhet të vijë si një nevojë përfaqësimi dhe jo si një përfaqësim për hir të përfaqësimit rinor.
A jeni gati të përballeni me Edi Ramën në rast se hasni mos vlerësim të kontributeve të freshistëve?
Rama në fakt është kryetari i cili ka promovuar më shumë të rinjtë dhe kam bindjen e plotë se do ta vazhdoj ta bëj me ata të rinj të cilët do të punojnë dhe meritojnë promovimin politik. Gjithsesi Partia Socialiste ka treguar se ka një traditë të fortë së përballjes dhe debati të brendshëm, kush jam unë që ta prish këtë traditë?
Tani që ke nisur praktikisht detyrën tënde, ke një plan pune, se nga do t’ja nisësh për të riformatuar forumin?
Ne kemi filluar menjëherë nga puna ditën e hënë pas përfundimit të zgjedhjeve. Kemi dy procese shumë të rëndësishme të cilat kërkojnë angazhim maksimal, zgjedhjet në 61 bashkitë e vendit si dhe të strukturave drejtuese të forumit. Paralelisht është ngritur një grup pune i cili po harton platformën kombëtare të FRESSH e cila do të propozohet në kongres. Pas miratimit të tij do të hartohet program për rininë për secilën nga 61 bashkitë e vendit. Programi do të propozohet nga strukturat në secilën prej bashkive në mënyrë që të jetë një përfaqësues i drejtpërdrejt i secilit komunitet dhe jo diçka e përcaktuar nga Tirana.
Keni së shpejti zgjedhjet edhe të kryetarëve të forumeve në 61 bashkitë e vendit. Do ta lini të lirë procesin, apo do të kanalizoni influencën tuaj për të përzgjedhur të preferuarit tuaj, ata që ju ndihmuan të fitoni në 22 tetor?
Mesazhet e para unë I kam shkëmbyer me drejtuesit e FRESSH në zonat në të cilat unë nuk u shpalla fitues. Përpos faktit që ndajmë të njëjtën familje politike, jemi miq të mirë të cilët zgjodhëm të besonim në filozofi të ndryshme drejtimi të forumit. Tani që zgjedhjet mbaruan të gjithë kemi vetëm një qellim, përfaqësimin sa më të denjë të komuniteteve ku përkasim dhe kjo s’bëhet duke qenë të ndarë por vetëm duke qenë të bashkuar dhe të drejtë me njëri tjetrin. Procesi i zgjedhjeve në FRESSH do të jetë një përgjegjësi e degëve lokale të PS në secilën bashki dhe jo e kryetarit të FRESSH. Roli im dhe i ekipit drejtues do të jetë vetëm monitorues. Sigurisht që ata të cilët më mbështetën kanë ambiciet e tyre në politikë dhe unë do i motivoj të jenë në garë por do të ishte e padrejtë nga ana ime të bëja atë të cilën nuk do doja të bënin ndaj meje në procesin që sapo kalova.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com