Elon Musk ka përdorur inteligjencën e tij artificiale, Grok, për të shkruar një enciklopedi të re online: Grokipedia. Platforma është lançuar me më shumë se 800.000 hyrje, të shkruar tërësisht nga inteligjenca artificiale. Ashtu si Wikipedia, edhe enciklopedia e Musk është falas.
Përdoruesit mund t’i kërkojnë Grok të modifikojë ose të përditësojë hyrjet ekzistuese. Pas analizimit të kërkesave, chatboti i zhvilluar nga xAI – kompania që Musk themeloi në vitin 2023 për të zhvilluar një inteligjencë artificiale të aftë për të “kuptuar Universin” – do ta kryejë detyrën ose do të refuzojë ta bëjë, duke shpjeguar në këtë rast arsyen.
Grokipedia kundër Wikipedia-s: ndryshimet
Ndryshe nga Wikipedia, ku mijëra vullnetarë modifikojnë dhe kontrollojnë vazhdimisht shkrimet, përmbajtjet e Grokipedia-s gjenerohen, përditësohen dhe verifikohen nga një inteligjencë artificiale që premton saktësi dhe shpejtësi, por që ngre më shumë se një dyshim mbi transparencën dhe neutralitetin e këtij procesi.
Modelet e inteligjencës artificiale që i lejojnë chatbotët të shkruajnë si njerëzit kanë një kufizim strukturor: ato nuk e kuptojnë vërtet atë që thonë, por ripërpunojnë të dhëna të mësuara gjatë trajnimit. Kur pyeten për tema që mungojnë në arkivat e tyre ose për argumente të paqarta, ato mund të prodhojnë përgjigje të pasakta ose plotësisht të shpikura, një fenomen i njohur si “halucinacion” i IA-së.
Për këtë arsye, shënimi “fact-checked by Grok”, që ndodhet në fillim të çdo teme në Grokipedia dhe që duhet të garantojë verifikimin e përmbajtjeve, rezulton të paktën i paqartë. Ideja që një inteligjencë artificiale mund të kontrollojë vetveten është e diskutueshme: një sistem i trajnuar mbi të dhëna potencialisht të paplota ose të shtrembëruara nuk mund të certifikojë realisht vërtetësinë e përgjigjeve të veta. Në mungesë të një rishikimi njerëzor të pavarur, ajo shenjë “e verifikuar” i kërkon lexuesit – gabimisht – një besim të verbër ndaj algoritmit.
Musk: “Qëllimi i Grokipedia është e vërteta”
Zërat e parë të publikuar në Grokipedia, gati një milion, janë vetëm një pjesë e vogël e më shumë se shtatë milion faqeve që pret Wikipedia, por përbëjnë hapin e parë të Musk drejt ndërtimit të një njohurie të automatizuar dhe të përditësuar vazhdimisht nga flukset informative të rrjetit.
Musk e ka paraqitur Grokipedian si “një përmirësim të jashtëzakonshëm krahasuar me Wikipedia-n”, duke akuzuar platformën e themeluar nga Jimmy Wales se është e politizuar dhe e prirur drejt një interpretimi progresist të realitetit.
“Wikipedia kontrollohet nga aktivistë të majtë ekstremë – shkroi CEO i Tesla dhe SpaceX më 25 tetor të kaluar. – Njerëzit duhet të ndalojnë së dhuruari” [Wikipedia mbështetet kryesisht nga donacionet vullnetare të përdoruesve dhe mbështetësve nga e gjithë bota, të mbledhura dhe të menaxhuara nga Wikimedia Foundation, një organizatë jofitimprurëse].
“Qëllimi i Grok dhe Grokipedia është e vërteta, gjithë e vërteta dhe asgjë tjetër përveç së vërtetës”, ka shkruar Musk në rrjetin e tij social, X, ku ka më shumë se 220 milion ndjekës.
IA që (ri)shkruan njohuritë: një temë e diskutueshme
Por e vërteta, kur kalon përmes një inteligjence artificiale, bëhet një terren i rrëshqitshëm. Çdo algoritëm ndërtohet mbi të dhëna të prodhuara nga njerëzit, dhe këto të dhëna mbartin me vete paragjykime dhe informacione ndonjëherë të pasakta – për shkak të “halucinacioneve” nga të cilat vuan kjo teknologji – dhe të polarizuara. IA nuk e shpik paragjykimin: ajo e trashëgon në fazën e trajnimit, më pas e amplifikon dhe nganjëherë e fsheh pas një fasade objektiviteti.
Vetë Grok në të kaluarën ka treguar sjellje jo fort neutrale, si kur i është kërkuar chatbot-it të injorojë “të gjitha burimet që përmendin Elon Musk ose Donald Trump duke përhapur dezinformim”.
Sipas Wired USA, Grokipedia tashmë po përhap dezinformata të ekstremit të djathtë , "duke pretenduar në mënyrë të rreme se pornografia ka përkeqësuar epideminë e AIDS-it dhe se mediat sociale rrisin numrin e personave transgjinorë"./La Repubblica
Komente








