Ema Andrea rrugëton me 
dramën e Jeton Nezirajt

Ema Andrea rrugëton me <br />dramën e Jeton Nezirajt
TIRANE- Aktorja Ema Andrea është protagoniste në dramën e shkruar nga Jeton Neziraj, “Peer Gynti nga Kosova”. Premiera ka nisur turneun në trevat mbarëshqiptare. Është shfaqur më 16 maj në teatrin e qytetit të Gjilanit, më 17 maj në teatrin e qytetit të Ferizaj dhe sot do të shfaqet në Shkup në Qendrën e Teatrit të Fëmijëve.

Pas Shkupit shfaqja do të jepet në Prishtinë më 22 maj, në Teatrin “Oda”. Ndërkohë, më 23 Maj do të jepet në Tiranë, në sallën Black Box te Fakulteti i Arteve, dhe më 28 maj shfaqja do të udhëtoj sërish për t’u dhënë përtej në Beograd në Qendrën Kulturore të këtij qyteti. Aktorët që luajnë në shfaqje bashkë me aktoren nga Shqipëria Ema Andrean, janë Besnik Krapi nga Kosova, Charles Toulouse nga Gjermania dhe Jonas Sjören nga Suedia.
 
Drama e emigracionit, pasqyrë tronditëse
 
Drama është një pasqyrë tronditëse e sfidës së emigracionit, duke filluar nga konfliktet që shoqërojnë jetën e emigrantit që mbart me vete modelin e jetës arkaike në botën moderne, deri tek paragjykimet që përballet ai në vendin mikpritës. “Vetë ngjarja e shfaqjes ishte më shqiptare dhe kosovare, pra më e jona dhe isha tejet kurioze të dija sesi do ta priste audienca këtë mënyrë të të shprehurit. Mbase është në një formë më ndryshe, pra e të shprehurit të një historie të “Peer Gynti nga Kosova”, të një shqiptari që mundohet të gjejë vetveten apo të integrohet në shoqërinë europiane”, ka pohuar aktorja Ema Andrea.

Regjia e veprës është nga Robert Jelinek dhe e dramatizuar për skenën nga Stefan Schletter. Ndërsa autori Jeton Neziraj rrëfen në dramë fatin e mijëra emigrantëve të rinj në Europë, të cilët kur përballen me kriza jetësore shpesh humbin kontaktin me ndjesinë e tyre të ndershmërisë dhe i kthehen krimit për të mbijetuar. Drama “Peer Gynti nga Kosova” është e bazuar pjesërisht në historinë e vërtetë të një emigranti kosovar. Rrëfimi i këtij të riu është botuar në një libër një përmbledhje rrëfimesh të emigrantëve nga Kosova në Gjermani. Jeton Neziraj i ka shkruar këto rrëfime bashkë me autorin Timon Perabo në librin “Sehnsucht im Koffer” (Mall në valixhe), botuar nga Bebra Verlag, 2013, por që në gjuhën shqipe ka ardhur me titullin “Atdheu në valixhe”, “Ndërsa po e shkruaja këtë rrëfim, m’u bë e qartë që ky i ri ishte njëfarë Peer Gynti i ditëve të sotme”, është shprehur Jeton Neziraj për personazhin e dramës.

Ndërsa mendon se në këtë premierë trajtohet me sinqeritet një dramë njerëzore, Neziraj trajton edhe çështjen e kufijve që për shumicën e europianëve i takojnë së kaluarës, ndërsa për shqiptarët e Kosovës mbetet një problem dhe vuajtje aktuale. Por Neziraj nuk do të kishte sukses me “Peer Gynti nga Kosova”, nëse ngjarjet nuk do të trajtonin një simbolikë universale. Për këtë ai thotë se “në esencë, kjo është një dramë që flet për azilantët më problematikë në Evropë. Drama nuk i legjitimon veprimet kriminale që shumë nga këta të rinj kryejnë në shoqëritë ku kërkojnë azil, por nuk i legjitimon gjithashtu as politikat po ashtu kriminale të shumicës së vendeve europiane në lidhje me azilantët”. Autori i dramës komenton më tej se “Azilkërkuesit trajtohen kallëp dhe përmes një këndvështrimi të njëjtë, kryesisht paragjykues dhe cinik. Nuk ka një përpjekje të sinqertë për t’i parë realisht”  
Kjo shfaqje premierë që vjen këto ditë në Tiranë, u realizua fal një bashkëpunimi ndërkombëtar teatror, me emra nga Shqipëria, Gjermania e Suedia dhe ka qenë një nga shfaqjet që ka bërë të dalë në pah puna dhe talenti i aktorëve. Në këtë shfaqje ka spikatur aktorja Ema Andrea me rolin e nënës dhe gruas së Peer-it. “Ema nga prezantimet e deritanishme të kësaj shfaqjeje në Gjermani dhe Kosovë, është kthyer me komplimente të shumëfishta; nga kritika dhe nga publiku.

Jam krenar që kemi bashkëpunuar me të”, tregon Neziraj. Shfaqja e cila si fillim të saj pati premierën në skenën e Gjermanisë, pas udhëtimeve në Kosovë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Shkup, Tiranë e Beograd, në shtator do të udhëtojë sërish për një turne dyjavor në Suedi. Me një kastë të përzier të aktorëve, “Peer Gynt-i nga Kosova” është një projekt teatror unik i realizuar si bashkëpunim i tri teatrove, Hessisches Staatstheater Wiesbaden (Gjermani), Qendrës Multimedia (Kosovë) dhe Teater de Vill (Suedi) kurse në të janë të përfshirë artistë nga: Gjermania, Kosova, Suedia, Shqipëria dhe Serbia. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike