Një kërcënim me bombë ka alarmuar mëngjesin e kësaj të enjteje disa institucione në qytete të ndryshme të vendit ( përfshirë Bashkia Durrës, Gjykata e Durrësit, Gjykata e Elbasanit, Gjykata e Lezhës, Gjykata e Vlorës, Bashkia, Prokuroria dhe spitali i Vlorës)
“Përshëndetje. Ky është shteti Islamik. Me vullnetin e Allahut, kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë pas dy orësh. Pas kësaj, ju të pa fe do të coptoheni. Allahu Akber”, shkruhej në e-mail.
Pas këtij njoftimi Policia e Shtetit ndërmori disa akisone duke kontrolluar në të gjitha institucionet që u kishte ardhur ky mesazh. Edhe në ambienetet e SPAK policia kreu kontrolle me qen antieksplozivë, por nuk konstatuan asgjë që mund të cenonte sigurinë e institucioneve dhe punonjësve të tyre.
Njoftimi i policisë
Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Lajm në përditësim…













Komente
Komento