Mes dilemës nëse do të qëndronte apo do të ikte, si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, Emanuel Pjetri, 28-vjeçari nga fshati Buzhalë i Pukës, zgjodhi të qëndronte dhe t'ia kushtonte jetën zhvillimit të turizmit malor.

Tashmë është i lumtur, teksa ka zbuluar një sërë vendesh që sot janë destinacione jo vetëm në zonën e tij, por në mbarë veriun e vendit.

Është i vetmi i ri që ende jeton në fshatin Buzhalë të Pukës. Pasioni për turizmin dhe dashuria për natyrën e mbajnë Emanuel Pjetrin të mbërthyer atje.

Çdo ditë e gjen në shtigjet malore, tashmë si guidë kombëtare e certifikuar. Ka zbuluar shumë prej vendeve që sot janë destinacione jo vetëm në Pukë, por në mbarë veriun.

Këto ditë fokusin e ka te Liqeni i Komanit, atje ku me varkën e tij pret e përcjell drejt Lumit të Shalës qindra turistë.

Për të është inkurajues vlerësimi që kanë kryesisht të huajt që shoqëron për Shqipërinë. Opinioni i tyre duket se e ka bërë të kuptojë më mirë rëndësinë e vendit ku jeton.

Emanueli nuk pretendon që shteti të ofrojë shërbime dhe lehtësi në shtigjet drejt shpellave ku ai shoqëron turistë, por kërkon atë më elementaren: përkujdesjen për rrugën, që duket se është e vetmja vështirësi në nismën pas së cilës ai duket i dashuruar.

"Duke parë videot në rrjetet sociale, kisha dëshirë që edhe zona ime të jetë e njohur dhe e promovuar. Kam nisur nga hiçi, duke mos ditur si funksionon kjo punë, por me kalimin e kohës, duke njohur zona të reja dhe njerëz të rinj nga e gjithë bota... kjo është gjëja më kryesore", tha ai.

E megjithatë, ai është i vendosur në atë që bën, ndaj nuk resht së ftuari pushuesit të vizitojnë Pukën, Majën e Murges, të cilën ai e zbuloi, shpellat plot legjenda, Lumin e Shalës dhe plot destinacione që ofron veriu i Shqipërisë.

"Ju bëj ftesë ta vizitoni Liqenin e Komanit, Lumin e Shalës dhe destinacione të tjera të veriut. Nuk do të zhgënjeheni. Ne kemi plot zona të bukura", thotë ai.

I vendosur të sfidojë vështirësitë e terrenit dhe heshtjen e shtetarëve lokalë, që e kanë lënë zonën në harresë, 28-vjeçari Emanuel Pjetri duket se e ka të qartë objektivin: zhvillimin e turizmit dhe punën me turistët jo vetëm në zonën e tij.