Emblema/ Aleksandër Moisiu, figura shqiptare-botërore që nuk ka moshë

Emblema/ Aleksandër Moisiu, figura shqiptare-botërore që nuk ka moshë

Kur mora në duar librin “Emblema” të autorit Isak Guta, i konceptuar që në vitet 1979-80 dhe botuar më 2016, gati pas dyzet viteve, mendja më shkoi larg, në vitet ’60 të shekullit të kaluar, kur në Normalen e Elbasanit studionim kryeveprën e të madhit Shekspir, tragjedinë “Hamleti”. Ato vite mbetën të paharruara në kujtesë, sepse interpretimi në rolin e Hamletit nga aktori ynë Aleksandër Moisiu në ekranin e kinemasë “11 Nëntori” të qytetit ishte i mahnitshëm. Akoma në mendjen time djaloshare të asaj kohe jehon zëri i aktorit të madh me monologun e famshën hamletian: “Të rrosh, apo të mos rrosh”?!

U rrita me librat dhe ende nuk pushoj së lexuari. Se, siç thotë adhuruesi i librit, Benedict Cumerbatch, aktor dhe producent anglez: “Leximi është një nga kënaqësitë më të mëdha. Nëse njëherë fillon të lexosh e ta duash librin, nuk do të ndalesh, sepse ke aq shumë histori për të lexuar.” Dhe vërtetë kështu ka ndodhur me mua edhe me shumë të tjerë.

*   *   *

Të shkruash për një artist të madh të kombit shqiptar, është meritë e madhe, e pashpërblyer, se Aleksandër Moisiun e nderoi Europa e fillim shekullit XX. Regjisori dhe studiuesi i mirënjohur, Isak Guta, tërë jetën ka shkruar e vazhdon të shkruajë për këtë artist me famë botërore dhe origjinë shqiptare. Është marrë dhe vazhdon të merret me figurën e Moisiut, me qëllimin madhorë për t’ia dhënë lexuesit siç ai është, ndër aktorët botërorë më elitarë të kohës së tij.

Mjafton të lexojmë e shfletojmë librin “Emblema”, për të vazhduar me serinë e botimeve të tjera, deri te “Moisiu dhe bëma e librit”, për t’u bindur se krijimtaria e autorit Isak Guta është me vlerë, e shkruar thjeshtë, me kulturë dhe profesionalizëm të pashoq. Vëmendje e posaçme i është kushtuar aktivitetit artistik të Moisiut nëpër turnetë teatrore të të gjitha kryeqyteteve të Evropës, që nga Vjena, Berlini, Moska e gjer në SHBA, Meksikë, Argjentinë etj, ku ai ka interpretuar në veprat e dramaturgëve më të mëdhenj të botës: Eskilit, Sofokliut, Shekspirit, Gëtes, Shilerit, L.Tolstoit, Molierit, Lesingut, Gogolit, Dostojevskit, Çehovit, Ibsenit, Strinbergut, Pirandelos, Bernard Shout etj. Vlerë e librit janë dhe veprimtaria e Moisiut regjisor, aktor filmi, dratmaturg etj. Por serisë së botimeve të Isak Gutës për Aleksandër Moisiun, i krahasuar vetëm me vetveten, i paraprinë tituj të tjerë. Nuk mund të ndodhte ndryshe, kur fisniku Guta mbeti nëpër arkiva e biblioteka të Austrisë, Gjermanisë, Francës etj, gjithnjë në kërkim të materialeve e vlerësimeve nga personalitete të shquara të teatrit e kulturës botrore për artistin shqiptar.

Libri i parë, i botuar e promovuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, titullohet “I madhi midis të mëdhenjve”, prill 2006. Pastaj mes librave me tematika të tjera, vazhdon deri me veprën e shtatë…  Kështu, në mënyrë lineare, i palodhuri Isak Guta hartoi projektin “Rilindja e Moisiut”, më i madhi i deri tanishëm. Ai dhe vetëm ai e di fort mirë se ç’mund e sakrifica iu deshën për të mbërritur deri këtu. Pas një pune krijuese 40-vjeçare të tij është e pamundur që këtë projekt mos t’a quash madhor.

*   *   *

Përditë e më shumë publikohen libra, sidomos nga brezi i të moshuarëve. Por sado që janë shkruar e botuar për ikonën e kinematografisë europiane, vepra angazhuese “Moisiu dhe bëmat e librit” i autorit Isak Guta ka të veçantat e tij. Vetë titulli më ndihmoi të ec faqe pas faqeje e të jetoj me punën e shumtë të autorit. I identifikuar si “studiues moisian”, Guta thotë se nga pozita individuale bëri aq sa mundi... Kjo është e vërteta, si drita e diellit. Edhe pse me mbështetje minimale të institucioneve konkrete, udhëtimi i figurës së artistit famëmadh nuk ka të ndalur. Sepse, me kaq sa është bërë, përmes veprimtarive të shumta është dëshmuar se figura e Moisiut është gjallë, nuk ka moshë. Objektivi i autorit mbetet që ky udhëtim të vazhdojë në gjithë hapësirën me shumicë shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut.

Sipas studiuesve, më shumë se asnjëherë tjetër, sot kemi nevojë për promovimin e vlerave tona. Më konkretisht gjuha, kultura, tradita janë elementë etnikë të përbashkët të shqiptarëve, të cilët të tërëve na bashkojnë. Ruajtjen e pasurisë gjuhësore, kulturore dhe zakonore më të domosdoshme e ka diaspora. Se është vërtetuar që nëpërmjet veprimtarive të shumta janë ruajtur origjinaliteti dhe identiteti i artit kombëtar.

Figura legjendare e Moisiut është përfaqësuese e identitetit të kombit shqiptar me rrënjë qindravjeçare në djepin e kulturës europiane.

-Me forcën e botës shqiptare dhe ndërgjegjen e njeriut të madh botëror, -thekson e përsërit autori, -është dëshmuar shqiptari më i lavdëruar në Evropë e botë. Gjatë parakalimit njohës të jetës dhe veprës së këtij aktori të madh, s’mund të rri pa përmendur vlerësimet që i janë bërë Moisiut si “i jashtëzakonshëm profesionalisht, i jashtëzakonshëm dhe si njeri”.

-Përmes zërit të tij, -shkruan shkrimtari austriak Stefan Cvajg, -Moisiu hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman. Ndërsa Franz Kafka, shkrimtar çek, thotë se “Moisiu është një artist, të cilit suksesi i del nga koka, nga goja i zërit të mrekullueshëm dhe nga sytë vështrimi që flet aq shumë”.

*   *   *

Vërtetë në Durrës është një ndërtesë muze dykatëshe, 200-vjeçare, në të cilën ka banuar familja e Aleksandër Moisiut, aktorit shqiptar me famë botërore. Dhe deti pranë është ai që ka qenë, por qyteti dhe njerëzit kanë ndryshuar. Jo rastësisht emri i këtij aktori të madh lidhet me teatrin dhe traditat e hershme të Durrësit e më gjërë. Rrugën e Aleksandër Moisiut të madh e kanë ndjekur shumë artistë tanë, menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe më vonë edhe në Kosovë me Milehate Ajetin, Bekim Fehmiun e të tjerë në radhë…

Sipas vlerësimeve e botimeve të shumta shqip e në gjuhë të huaja, figura e Aleksandër Moisiut ka hedhur rrënjë në djepin e kulturës evropiane. Heroikisht, në zemër të Evropës, ai realizoi ngritjen e tij në figurë shqiptare, europiane e botërore.

Por… në vitet parajubilare të 140-vjetorit të lindjes, ndodhi të avancohet figura e Moisiut në art-arsim, në hapsirën universitare duke filluar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës e deri tek ai “Kadri Zeka” në Gjilan... Por me gjithë thirrjet dhe trazimin e ideve, ende Projekti Vjetor ka ngelë me vepra në pritje të ralizimit në nivel të bashkive dhe nga Universitetet e njohura si: “Hasan Prishtina” në Kosovë, “Ukshin Hoti” në Prizren, "Isa Boletini" në Mitrovicë, në Tetovë, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Shkup e gjetiu...

Kështu që udhëtimit të figurës, si të ishte gjallë Moisiu, doemos t’i dalë zot e t’i prijnë institucionet e mëmëdheut, këtej dhe andej kufirit. Ndërsa autorit dhe studiuesit moisian, Isak Guta, t’i dëshirojmë bëmë të librit dhe shëndet.

Në mbyllje të këtij shkrimi modest për librin “Moisiu dhe bëma e librit” uroj përzemërsisht autorin Isak Guta, si për këtë botim dhe të tjerët para tij, sidomos “Emblema” me 500 faqe dhe mbi 200 fotografi.

*Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve

dhe Artistëve “Pjetër Budi”

Mat, Shqipëri

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Historia e kremtimit të Krishtlindjeve

Historia e kremtimit të Krishtlindjeve