TIRANE - Kryetari i gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja shprhet se duhet ndërhyrë në Kushtetutë për të tejkaluar ngërçin në emërimet dhe zëvendësimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Cilat janë disa nga pikat që neve kanë shqetësuar dhe që ia kemi bërë prezente grupit të punës. Të gjithë jemi dëshmitarë të bllokimit të proceseve për emerimet dhe zëvendësimet në Gjykatën Kushtetuese, e cila kërkon ndryshime qoftë në ligjin organik, ndoshta më tutje edhe në Kushtetutë. Ne kemi një problem, që një gjyqtar ka dhënë dorëheqjen dhe nuk është zëvendësuar, por ligji shqiptar nuk ka parashikuar procedurat, se si veprohet në këtë rast.

Kujddo t’i jepet dorëheqja, kush janë afatet e shqyrtimit të dorëheqjes? Çfarë do të bëjë organi kompetent? Kjo dorëheqje është e menjëhershme duke lënë në detyrë një gjyqtare, bie fjala. Nëse jemi në një rast hipotetik, ku katër–pesë gjyqtarë japin dorëheqjen. Çfarë do të bëhet me gjykatat?”-deklaroi kreu i Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, afatet procedurale për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese janë të paarsyeshme dhe të palogjikshme. Ai mori si shembull rastin nëse një qytetar kërkon t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për një proces të parregullt gjyqësor ka 2 vite kohë që ta sjellë kërkesën, ndërsa vetë Gjykata kërkon 6 muaj. “Nuk janë parashikuar procedurat në Gjykatën e Kushtetuese se si mund të shkarkohet Presidenti i Republikës, që mos ndodhtë kurrë. Statusi i gjyqtarëve nuk është i plotë, çfarë bëhet me ta pas funksionit të tyre”- deklaroi Dedja.

Gjykata e Lartë
Në fjalën e saj Shpresa Beçaj, Kryetare e Gjykatës së Lartë tha se finalizimi i draftit të miratuar nga Këshilli i Ministrave nxjerr në pah se nga ana e Ministrisë së Drejtësisë nuk janë marrë plotësisht në konsideratë të gjitha propozimet e Gjykatës së Lartë, të cilat konsiderohen të një rëndësie të veçantë që kanë të bëjne me një sërë aspektesh, të funksionimit të trupës gjyqësore, personelin e ndihmesave ligjor në lidhje me kriteret për emërimin e tyre, trajtimet e punonjësve të administratës, dhe ajo që është më e rëndësishme shtimit të një kolegji me përbërje 5 anëtarë, si rezultat i krijimit të gjykatave administrative, çështjeve të shumta që presin për tu shqyrtuar në Gjykatën e Lartë, dhe rishikimi i dispozitave për riemërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, pas mbarimit të mandatit. Sipas Beçajt: “Eksperiencat e deritanishme kanë vërtetuar se sipas kuadrit aktual ligjor Shqiperia po humbet talente, gjyqtare të aftë dhe me eksperiencë, gjë e cila nuk duhet të ndodhë në këtë periudhë, kur kryefjala e ditës është konsolidim i shtetit ligjor dhe pushtetit më të lartë gjyqësor, kur Shqipëria me një demokraci të re aspiron për tu bërë pjesë e familjes së madhe europiane”.

(r.d/shqiptarja.com)