Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka bërë thirrje opozitës që të votojë gjatë kësaj jave ligjin që mundëson pranimet e reja në Shkollën e Magjistraturës, si dhe të emërohen 16 magjistratët e diplomuar. Ligji kërkon 84 vota që PS nuk i ka e vetme, ndaj Balla bën thirrje për konsensus.
Bëhet fjalë për një detyrim të qartë të çdo force politike të përgjegjshme, e cila sikurse bashkë kemi miratuar paketën e reformës në drejtësi dy vite më parë, kështu na duhet edhe tani të rivendosim këtë afat me qëllim që djem e vajza të shkëlqyer që mbarojnë studimet në drejtësi dhe që duan që karrierën ta vijojnë duke u përfshirë në sistemin e ri të drejtësisë përmes kalimit të shkollës së magjistraturës.
Taulant Balla
Balla vlerësoi procesin e vettingut në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku evidentoi rastet e atyre që janë larguar nga sistemi.
Çdo ditë shohim përmes medieve sesi gjyqtarë apo prokurorë humbin të drejtën për të vazhduar për të qenë pjesë e sistemit. Ky është një hap i rëndësishëm, askush prej nesh nuk do ta kishte imagjinuar që paska qenë kaq e thellë dhe kaq e rëndë situata e korrupsionit në sistemin e drejtësisë.
Taulant Balla
Opozita është shprehur e vendosur për të mos e votuar ligjin për magjistrat e rinj duke hedhur poshtë çdo aludim se ka pasur bisedime mes PS dhe LSI për të siguruar votat e nevojshme. Në seancën e kaluar PD dhe LSI nuk morën pjesë.