/ATSH- I. Vata/- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, mblodhi sot Këshillin Konsultativ për Emrimet në Gjykatën e Lartë dhe i percolli renditjen e kandidatëve Presidentit, Bujar Nishani.
Gjykata e Lartë bën me dije nëpërmjet zyrës për marredhëniet me publikun dhe mediat se "Në zbatim të detyrimeve që burojnë nga ligji Nr. 8588, datë 15.03.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë" (i ndryshuar),  nën drejtimin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, u organizua mbledhja konstitutive e Këshillit për Emërimet në Gjykatën e Lartë".
Po ashtu, Gjykata e Lartë shpjegon se "Pas konstituimit, anëtarët e Këshillit për Emërimet në Gjykatën e Lartë diskutuan dhe miratuan Rregulloren e funksionimit të tij. Këshilli për Emërimet në Gjykatën e Lartë, si organ këshillimor i Presidentit të Republikës, pas analizimit të përmbushjes së kushteve ligjore dhe kritereve objektive shtesë nga kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, do të bëjë renditjen e kandidatëve dhe do të hartojë raportin me shkrim, i cili do t'i përcillet më pas Presidentit të Republikës".