Emërimet, Ruçi: Të vonuara e
jo produktive takimet e Nishanit

TIRANË - Presidenti i Republikës ka zhvilluar takime me gjithë krerët e grupeve parlamentare, për t’u konsultuar në lidhje me kriteret që duhet të plotësojë anëtari i ri i Gykatës së Lartë.

I pari në Presidencë ka mbërritur kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruci, i cili në përfundim të takimit, deklaroi se ky ishte një takim i vonuar dhe jo produktiv. Për kreun e grupit PD, Edi Paloka ky qëndrim nuk është i papritur pasi mazhoranca i ka shpallur luftë të hapur Presidentit siç i ka shpallur luftë të hapur të gjitha institucioneve të pavarura.

RUCI: TAKIMI I VONUAR DHE JO PRODUKTIV 
“Ky këshillim jo i parë por i disati nuk është shumë produktiv pasi edhe në pikëpamje formale është i vonuar pasi do duhej të kishte nisur më parë. Ka formalizëm sepse flitet për kritere e këshillime. Nëse do i referohemi këshillimeve apo konsulencave ka një intepretim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Fryma e disktumit nuk ishte në kuadër të intepretimit që ka bërë Gjykata Kushtetuese. Dua të nënvizoj që kriteret i përcakton Kushtetuta dhe janë të padiskutueshme nëse kanë nevojë të përmirësohen i takon një stadi tjetër“- tha Ruçi pas takimit.

Ruçi tha se prezenca e tij “tregon vullnetin që ka mazhoranca në respekt të Kushtetutës dhe preokupimit që ka dhe në respekt të institucionit të Presidentit.

Në takimin me Nishanin Ruçi tha se PS nuk kishte vajtur për emra konkret por "t'ı japim përgjigje për shqetësimin që ka opinioni lidhur me profesionalizmin dhe moralitetin që ekziston për sistemin e drejtësisë”

Pjesë e konsultave ishin edhe përfaqësues të PDIU-së dhe Partisë Republikane, të cilët gjithashtu u shprehën se duhen respektuar kriteret.

PALOKA: QENDRIMI I RUÇIT PJESE E LUFTES SE HAPUR ME PRESIDENTIN 
Pas takimit me Nishanin kryetari i grupit të PD-së deklaroi se qëndrimi i mazhorancës nuk është i papritur pasi mazhoranca i ka shpallur luftë të hapur Presidentit siç i ka shpallur luftë të hapur të gjitha institucioneve të pavarura.
 
‘Sigurisht nuk pres gjë tjetër. Lufta me Presidentin është e hapur. Nuk ka lidhje me kandidaturat për Gjykatën e Lartë, por është luftë e hapur që ka nisur ndaj të gjithë institucioneve por dhe presidentit. Të tjerët dhe PD nuk presin që Rama e Ruçi të bien dakord me Nishanin për asgjë. Është luftë që i bëhet nga kjo mazhorancë. Në çfarëdo emri që të japë Presidenti, ai nuk do ta pranojë” 

VASILI: TE MOS PERSERITET E KALUARA  
Ndërsa Petrit Vasili që drejton grupin e LSI, tha se forca e tij politike, është për një bashkëpunim mes palëve , në mënyrë që mos të përsëriten situata si në të kaluar, ku dekretet kalonin vetëm me mbështetjen e njërës forcë politike.

“Do të ishte e dobishme që të hapnim rrugën për një kooperim formal dhe për zgjidhjen e një  drejtësie e cila është e perceptuar negativisht nga të gjithë qytetarët.
Sigurisht që erdhëm me frymën e bashkëpunimit konstruktiv me ekzigjencën për t’ju larguar ripërsëritjes së njërit krah siç ka ndodhur me rastet e dekreteve të mëparshme.
Do ishte e vendit që të gjitha vakancat të kompletoheshin. Në rradhë të parë duhet një kooperim i vërtetë dhe real. Nuk janë emrat ata që përcaktojnë gjithçka.”- tha Vasili.


TAKIMI I NISHANIT 
Presidenti i Republikes, Bujar Nishani, zhvilloi sot takime këshillimore me krerët e grupeve parlamentare për emërimin e një anëtari të Gjykatës së Lartë si pasojë e vakancës së krijuar si rrjedhojë e përfundimit të mandatit të gjyqtarit Ardian Dvorani.

Takimet u zhvilluan në Presidencë. 

Për vendin vakant në Gjykatën e Lartë Presidenti Nishani prezantoi ditë më parë edhe listën e kandidatëve që vijnë nga radhët e gjyqësorit, të cilët janë Alaudin Malaj, Astrit Kalaja, Entela Prifti, Fatos Qato, Luan Dervishi, Sokol Ngresi dhe të kandidatëve që vijnë nga radhët e juristëve: Adnor Shameti, Ermir Dobjani, Genti Shala, Gjet Kola, Ilir Panda, Luan Daci, Pranvera Strakosha, Prel Martini, Rexhep Bekteshi, Sokol Sadushi dhe Shpëtime Pitaku.

Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave