Kristiana Sheqi u shpall kursantja më e mirë, në mesin e 443 kolegëve të tjerë që morën zyrtarisht certifikimin në Policinë e Shtetit, në Patrullë të Përgjithshme. Një ëndërr që në vegjëli e bërë realitet.

 “Unë jam përkushtuar, kjo ka qenë ëndrra ime, policia ka qenë ëndrra ime që e vogël dhe tani që e kam realizuar, do t’i shërbej vendit tim me përkushtim. Unë do të ftoja edhe kolegët e mi për të dhënë më të mirën nga vetja në qëllimin që kemi”, thotë studentja e diplomuar.

Mes paragjykimeve se një grua nuk mund t’ia dalë në polici, Kristjana e ka gjetur burimin e forcës tek familja.

 “Unë kam pasur mbështetjen e të gjithë familjarëve dhe njerëzve të mi, të cilët më kanë mbështetur, më kanë dhënë më shumë motivim për t’ia arritur kësaj dite sot dhe për të vazhduar karrierën në Policinë e Shtetit”, shprehet oficerja e re e policisë, Kristiana Sheqi.

Mesazh të rëndësishëm për 443 kursantët e certifikuar dha kryepolici Gledis Nano, i cili nuk kurseu këshillat.

 “Punonjësi i policisë është shërbëtor i komunitetit dhe jo padroni i tij, se punonjësi i policisë është gardian i ligjit dhe jo shkelës i tij. Pyesni gjithmonë veten për çdo veprim, a është në përputhje me vlerat morale, a është në interesin e vendit? Ndërtoni të ardhmen tuaj duke zgjedhur jo rrugën më të shkurtër dhe më të thjeshtë, por rrugën e drejt dhe atë që iu rrit profesionalisht...Numrin e telefonit”, deklaroi kryepolici Nano.

Brezi i ri i efektivëve janë shpresa e bluve për të ndryshuar imazhin dhe forcuar strukturën.

 “Policia e Shtetit ka një pritshmëri të lartë nga ju. Edhe komunitetit gjithashtu, pret më shumë nga ju, punë dhe ndershmëri, jeni e ardhmja e kësaj policie”, përfundoi Mema, drejtor i Akademisë së Sigurisë

443 efektivët e rinj do të emërohen në 12 qarqet e vendit, ndërsa kanë kaluar faza të shumta trajnimi fizik dhe psikologjik për të merituar spaletën e Policisë së Shtetit.