Për të përballuar fluksin e emigrantëve, Gjermania do të vendosë kontrollet në kufirin me Austrinë. Lajmi është raportuar nga mediet gjermane dhe austriake, por ende nuk dihet se çfarë masash do të merren.
 
Vetëm gjatë ditës së shtunë më shumë se 13 mijë emigrantë mbërritën në Munih. Sipas gazetës prestigjioze gjermane “Bild” kontrollet do të ashpërsohen në vend kufirin mes Bavarisë dhe Austrisë.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere foli për çështjen e emigrantëve ku theksoi se do të shtohen kontrollet në kufi me shtetin e Austrisë.

"Në këtë moment Gjermania është përkohësisht duke futur përsëri kontrollin përgjatë kufijve të brendshëm të BE-së. Fokusi në fillim do të jetë në kufirin me shtetin e Austrisë" – u shpreh ministri Thomas de Maiziere.

Ndërsa operatori i trenave austriakë “OeBB“ tha se Gjermania ka ndaluar të gjithë trenat që bëjnë linjën hekurudhore Austri-Gjermani.

Ministria e Brendshme gjermane theksoi se në pikën kufitare janë shtuar më shumë se 2.100 policë. Muajin e kaluar Maiziere tha se Gjermania mund të pezullojë marrëveshjen e Shengenit, e cila lejon lëvizjen e lirë mes një numri të madh të vendeve evropiane.
 
Të dielën e kaluar zv.kancelari i Gjermanisë, Sigmar Gabriel tha se edhe Gjermania po shkon drejt limiteve të përballimit të emigrantëve.
 
Gabriel sqaroi se emigrantët po bëhen të papërballueshëm për Gjermaninë jo nga numri por nga shpejtësia me të cilën po vijnë. Vetëm gjatë vitit 2015 në Gjermani kanë hyrë më shumë se 800 mijë emigrant.
 
Redaksia Online
(o.m/shqiptarja.com)