Depozitat në valutë në këtë qytet u ulën me 4% në tremujorin e parë, në raport me fundin e 2012-s, me 1.5 miliardë lekë, apo rreth 11 milionë euro të tërhequra neto nga degët e bankave në Durrës.
E njëjta tendencë ka qenë dhe në Vlorë, por me ritme më të ulëta. Depozitat në valutë në këtë qytet ranë me rreth 297 milionë lekë. Në Fier gjithashtu kursimet në valutë u ulën me rreth 560 milionë lekë.
Qyteti tjetër i emigrantëve, kryesisht në Greqi, Korça, ka njohur një ulje të kursimeve në valutë me gati 600 milionë lekë në të njëjtën periudhë.
KRIZA
Emigrantët, që dikur ishin burim i sjelljes së valutave në Shqipëri, po shfaqin një tendencë të kundërt, duke reflektuar situatën e vështirë që po kalojnë në vendet e mbërthyera nga kriza e borxheve, sidomos në Greqi e Itali.
Në total, Tirana kryeson për kursimet, me gati 38% të totalit të depozitave. Kursimet në kryeqytet kanë vijuar tendencë pozitive dhe në tre muajt e parë të këtij viti, duke u shtuar me rreth 4.8 miliardë lekë.
Depozitat në qytetet e tjera kanë ndryshuar pak, por të paktën nuk kanë shënuar rënie si në qytetet e sipërpërmendura.
REMITANCAT
Paratë që emigrantët nga jashtë vendit dërgojnë në shtëpitë e tyre kanë arritur në 2012-n në nivelin më të ulët të dekadës së fundit, sipas të dhënave të publikuara nga bilanci i pagesave i Bankës së Shqipërisë. Sipas treguesve zyrtarë, remitancat e emigrantëve arritën në vlerë absolute në 680 milionë euro, me një rënie prej gati 2% në krahasim me një vit më parë.
Përgjatë tremujorëve, konstatohet që në raport me periudhat përkatëse të një viti më parë, ka pasur rënie në tremujorin e dytë dhe të tretë, ndërkohë që në tre muajt e fundit të vitit, situata është përmirësuar.
Niveli më i lartë i remitancave në vlerë absolute është shënuar në 2008-n, dhe më pas me fillimin e krizës ekonomike globale, është shënuar vazhdimisht një tkurrje e tyre.
Kriza ekonomike dhe më pas ajo e borxheve ka prekur ndjeshëm dy fqinjët tanë, ku jetojnë e punojnë pjesa më e madhe e shqiptarëve, Italinë dhe Greqinë, sidomos këtë të fundit. Një pjesë e konsiderueshme e individëve apo familjeve që jetonin e punonin në Greqi janë kthyer në atdhe, ku sipas burimeve të Ministrisë së Punës, numri i të kthyerve i kalon 40 mijë.
Krahas ndikimit të krizës, një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë tendencë është edhe ai ciklik, ku pas mëse 20 vitesh, teksa janë integruar pothuajse tërësisht në shtetet ku jetojnë e punojnë, emigrantët po i shkëpusin gradualisht lidhjet me vendin mëmë.
Këto transferta janë një burim i rëndësishëm jetese për një shtresë relativisht të varfër të popullsisë, ndërkohë që kanë qenë një nxitje e rëndësishme e konsumit në vend.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)