Pa arrest, pa urdhër gjykate dhe menjëherë pas mbërritjes nga një udhëtim i rrezikshëm në Kanal: azilkërkuesit në Britaninë e Madhe do t’u duhet të dorëzojnë telefonat dhe kartat sim në duar të autoriteteve, një masë që po ngre alarm për shkelje të të drejtave themelore të njeriut në Mbretërinë e Bashkuar.

Duke nisur nga e hëna, çdo emigranti që mbërrin në Britaninë e Madhe nëpërmjet La Manshit, do t'i merret telefoni dhe më pas do të dërgohet në qendrën e përpunimit Manston, në Kent. 

Autoritetet do të kenë të drejtë të kryejnë kontrolle për pajisje elektronike, përfshirë kontrollin e rrobave të jashtme dhe, në disa raste, edhe të gojës për karta SIM apo pajisje të fshehura. Ende nuk është sqaruar zyrtarisht nëse këto masa do të aplikohen edhe ndaj fëmijëve. Qëllimi i kësaj nisme është mbledhja e informacionit kundër rrjeteve të trafikimit të njerëzve që organizojnë kalimet përmes Kanalit të La Manshit.

Vendimi vjen në kuadër të strategjisë së kryeministrit Keir Starmer për të frenuar emigracionin e parregullt përmes Kanalit të La Manshit, në një klimë presioni politik të shtuar nga Nigel Farage dhe partia Reform UK. 

Qeveria beson se këto masa dhe dënimet e ashpra deri në 14 vjet burg do të ndihmojnë në luftën e këtyre bandave.

Organizata Freedom from Torture e ka dënuar masën si “thellësisht çnjerëzore”, duke theksuar se këto kontrolle invazive po i traumatizojnë njerëzit menjëherë pas mbërritjes në Britani.

Avokatë që përfaqësojnë azilkërkues kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e praktikës, duke paralajmëruar se mungesa e mbikëqyrjes së pavarur mund të bie ndesh me një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2022 mbi konfiskimin e pajisjeve elektronike.

Nga ana tjetër, ministri britanik për kufijtë, Alex Norris, ka deklaruar se masat synojnë mbledhjen e informacionit për rrugët e emigrimit dhe goditjen e rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore.

Gjatë vitit 2025, mbi 41 mijë migrantë mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit të La Manshit, një nga shifrat më të larta të regjistruara ndonjëherë. Masat e reja janë pjesë e ligjit për sigurinë kufitare, azilin dhe emigracionin, i miratuar në dhjetor, që zgjeron kompetencat e autoriteteve britanike.