Ëndrra për të bërë diçka të vetën në vendlindje e ka shoqëruar gjithnjë. Jeta në emigrim nuk ishte një rrugë pa kthim, por një fillim për t’ia arritur asaj që dëshironte.
I riu nga Fushë-Arrëzi, Dionis Tuci thotë se kishte frikë, por guxoi. Pasi u perfeksionua në kuzhinë, duke ndjekur trajnime e punuar me profesionistë në zë në Itali vendosi të rikthente në funksion një lokal, dyert e të cilit kishin qenë të mbyllura prej vitesh.
“Unë kamë jetuar në Itali, por gjithnjë e mbaja mendjen se çfar mund të bëj në vendlindje. Ideja ishte të bëja diçka të qëndrueshme. Vendosa të hap lokalin e vjetër të familjes dhe të kisha si baze të shërbimit, mishin n’tra”, - thotë Tuci.
Produktet që ai ofron janë unike dhe ndoshta të vetmet në mbarë vendin. Veçoria është mishi në tra, produkte mishi të thatë, me të cilat Dionisi në minibiznesin e tij ofron një gamë të gjerë gatimesh tradicionale me shije të veçanta.
“ Mishi i zonave tona është i veçantë, pasi rritet në kushte natyra. Kjo më bëri që të mërrem me mishin e thatë. Në fakt nuk e kisha menduar se mund të kisha këtë ecuri”,- thotë i riu.
Mishi në tra duket se tashmë është një ëndërr e bërë realitet nga i riu që mundi sfidat, por edhe mentalitetin se vendlindja e tij, Fushë-Arrëzi, nuk ofron mundësi. Dionisi madje tashmë është kthyer në një mundësi edhe për banorët e zonës, produktet e të cilëve ai i blen për klientët.
“Shpesh bashkvendasit me thon kam një viç, apo një produkt të caktuar. A mund ta sjell tek ti? Kjo me emocionon shumë. Është një gjë e mirë sepse dhe unë kam mundësi tu ofroj klientëve produktet tona”,- thotë i riu.
Veç gatimeve, ai ka vendosur të ofrojë për klientët edhe produkte të zonës.
“Kemi krijuar një kënd të vogël me produkte të zonës si mjalti, mielli i misrit, buka e fikut dhe shumë produkte të tjera”,- thotë i riu.
Ëndrra është që lokali i vogël të kthehet hap pas hapi në një agroturizëm. Për këtë arsye, ai i qëndron besnik çdo hapi që hedh, duke ruajtur me fanatizëm traditën.
“Mulliri është një vlerë e shtuar e lokalit që kam hapur. Mielli i misrit është dhe baza për disa prej ushqimeve tradicionale që ofrohen këtu”,- thotë Tuci.
Sot, kur e konsideron se po ecën mbi këmbët e veta, Dionis Tuci ka edhe një mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët e tij, të rikthehen në vendlindjen thuajse të boshatisur nga emigrimi masiv.
“Ju bëj thirrje që të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre, pasi nuk është asnjë herë vonë”,- apelon i riu.
Komente












