Emmanuel Macron rrezikon mandatit të dytë? Sot zgjedhjet presidenciale në Francë

Emmanuel Macron rrezikon mandatit të dytë? Sot zgjedhjet presidenciale në Francë

Posterët e tre kandidatëve kryesorë në zgjedhjet franceze: Emmanuel Macron, Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon.

Franca më 10 prill mban rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Në këto zgjedhje garojnë 12 kandidatë, teksa presidenti aktual, Emmanuel Macron po kërkon që ta fitojë një mandat të dytë. 

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton shumicën, atëherë rundi i balotazhit do të mbahet më 24 prill. Macron konsiderohet favorit për të fituar, por sondazhet sugjerojnë se rivalja e tij, Marine Le Pen, ka ngushtuar epërsinë dhe të dy mund të kenë një përballje të fortë në balotazhin e 24 prillit.

Fituesi do të zgjidhet në mes të katër grave dhe tetë burrave kandidatë. Presidenti i ri do të ketë fuqinë që të formësojë Francën dhe rolin e saj kyç në Evropë në pesë vjetët e ardhshëm. Edhe pse zgjedhjet janë lënë në hije nga lufta e Rusisë në Ukrainë, për shumicën e votuesve, çështja kryesore në këto zgjedhje është kostoja e jetesës.

Në zgjedhje të drejtë vote kanë 48.7 milionë votues. Sondazhet e favorizojnë Macronin, ndërkaq Marine Le Pen konsiderohet rivalja e tij kryesore, përderisa majtisti Jean-Luc Mélenchon në bazë të sondazheve parazgjedhore, pritet të dalë i treti.

Pse janë të rëndësishme këto zgjedhje?

Dy kandidatët kryesorë Macron dhe Le Pen kanë pikëpamje shumë të ndryshme sa i përket politikës së jashtme dhe qasjes ndaj Rusisë, por edhe Bashkimit Evropian. Po ashtu ata kanë edhe pikëpamje të ndryshme lidhur me financat publike apo për investitorët e huaj.

Një fitore e Macronit do të thoshte një vazhdimësi për Francën, ndërkaq një fitore e Le Pen do të nënkuptonte ndryshime të mëdha.

Tani që Britania është larguar nga BE-ja, Franca është fuqia kryesore ushtarake e bllokut. Po ashtu, është ekonomia e dytë më e madhe, dhe largimi nga politika e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, i ka dhënë Macronit një rol më të rëndësishëm në Evropë. Një fitore e Le Pen do ta përplaste Francën me partnerët e BE-së.

Shqetësimet kryesore për votuesit, sipas sondazheve, janë rritja e madhe e çmimeve të energjisë dhe rritja e inflacionit. Sondazhet po ashtu tregojnë se votuesit janë të pakënaqur me politikat ekonomike të Macronit, edhe pse niveli i papunësisë është më i ulëti ndër vite. Po ashtu, mënyra sesi Macron ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit, pritet të luajë rol në këto zgjedhje, pavarësisht se kufizimet kundër COVID-19 pothuajse janë hequr të gjitha.

Më poshtë mund të mësoni se cilët janë kandidatët për zgjedhjet presidenciale në Francë:

Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë tubimit të parë zgjedhor në Paris më 2 prill 2022.

Kur u bë presidenti më i ri i Francës më 2017, u vulos edhe rritja e popullaritetit të tij që erdhi më pak se një vit pasi ai nisi një lëvizje politike centriste të quajtur La République En Marche!, me qëllim që të sfidojë partitë tradicionale.

Pas pesë vjetësh, Macron 44 vjeç, vazhdon të dominojë skenën politike të Francës, por në këto zgjedhje përballet me një sfidë të fortë nga Marine Le Pen, kandidatja e ekstremit të djathtë, që Macron me lehtësi e mposhti në balotazhin e vitit 2017.

Ai hyri në Pallatin Elize pa njohuri të mëdha politike. Para se të bëhej president, ai kishte mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë, por asnjëherë nuk kishte garuar për post publik. Një person i afërt me presidentin socialist, François Hollande, Macron hoqi dorë nga të gjitha besnikëritë politike dhe shumë votues, thanë se ky fakt e bëri që të dallohej nga klasa në pushtet.

Gjatë mandatit të tij, Macron ka shtyrë përpara reforma kundërthënëse. Ai ua ka bërë më të lehtë punëdhënësve që të largojnë nga puna punëtorët e tyre, ka zvogëluar taksat dhe ka prezantuar ligje më të ashpra të sigurisë për të luftuar terrorizimin.

Por, taksa për karburante më 2018, bëri që të ketë protesta masive, gjë që e shtyri Macronin që të heqë dorë nga propozimi i tij.

Të tjera reforma, përfshirë edhe premtimin që niveli i papunësisë të zbresë nga mbi 10 për qind në 7 për qind më 2022 nuk u realizua për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe papunësia në Francë aktualisht është në 7.4 për qind.

Tani ai po premton që të shkurtojë taksat për 15 miliardë euro në vit për amvisëritë dhe bizneset dhe për rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 65. Ky propozim nuk është aspak popullor sepse pritet të rrisë koston e jetesës. Kundërshtarët e tij po ashtu e kanë akuzuar Macronin se varet shumë për këshillim nga firma amerikane për konsulentë, McKinsey.

Macron po ashtu dëshiron të investojë në forcat e armatosura, duke dyfishuar numrin e forcave rezerviste.

Çfarë shanse ka për fitore?

Macron konsiderohet favorit për të fituar, por sondazhet sugjerojnë se rivalja e tij, Marine Le Pen, ka ngushtuar epërsinë dhe të dy mund të kenë një përballje të fortë në balotazhin e 24 prillit. Fillimisht, Macron doli shumë mirë në sondazhe, për shkak të përpjekjeve të tij diplomatike për luftën e Rusisë në Ukrainë, por votuesit tani janë më të shqetësuar për shkak të rritjes së faturave.

Marine Le Pen

Kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Marine Le Pen ishte në balotazhin e 2017-s kundër Macronit dhe kësaj radhe ajo sërish konsiderohet rivalja e tij kryesore.

Familja e saj ka qenë sinonim i ekstremit të djathtë në Francë për dekada të tëra. Por, në këto zgjedhje ajo nuk është e vetmja që kërkon votat e krahut të djathtë, për shkak të rivalit të saj të madh Éric Zemmour. Edhe pse disa anëtarë të ekipit të saj kanë shkuar në ekipin e Zemmour, përfshirë edhe mbesën e saj, Zemmour ka pikëpamje më ekstreme ndaj Islamit dhe migrimit, prandaj qasja e Le Pen tani duket si më e moderuar.

Një lojtare politike për vite me radhë në Francë, Marine Le Pen u bë eurodeputete përpara se të shfaqje ambicie presidenciale. Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2017, ajo riemëroi partinë e saj Fronti Kombëtar në Tubimi Kombëtar (Rassemblement National).

Që atëherë, ajo ka pasur një mesazh kundër migrimit, kundër Bashkimit Evropian, mesazhe këto që kanë rezonuar me votuesit e pakënaqur.

Më herët ajo kishte shprehur admirimin e saj për Rusinë e Vladimir Putinit dhe ishte varur shumë nga borxhet në një bankë ruse për fushatën e saj presidenciale më 2017. Le Pen ka dënuar pushtimin e Putinit të Ukrainës, përderisa ka paralajmëruar për rrezikun e sanksioneve në ekonominë franceze.

Le Pen, 53-vjeçare, ka premtuar se do të ndalë abuzimin me të drejtën e azilit, përmes një referendumi për kufizimin e imigracionit. Ajo dëshiron të ndalojë mbajtjen e hixhabit islam në vendet publike. Ajo po ashtu po kërkon që ta kthejë BE-në në një aleancë kombesh që nuk sfidohen nga ligjet e BE-së.

Ajo ka premtuar të heqë taksën e të ardhurave për personat nën moshën 30-vjeçare dhe t’i përjashtojë kompanitë nga pagesat e taksave nëse i rrisin pagat minimale për 10 për qind për shumicën e punëtorëve të tyre.

Çfarë shanse ka për fitore?

Kjo është hera e tretë që garon në zgjedhjet presidenciale (më 2012 ajo kishte dalë në vendin e tretë). Nëse arrin të futet në balotazh, ashtu siç sugjerojnë sondazhet, Marine Le Pen do t’i japë një luftë të vërtetë Macronit për Presidencën.

Jean-Luc Mélenchon

 

Jean-Luc Mélenchon, kandidati i krahut të majtë.

Kandidati më i fortë nga krahu i majtë është Jean-Luc Mélenchon, një kritik i politikave ekonomike të Macronit dhe një mbështetës i protestave kundër rritjes së çmimeve të karburanteve, protesta që shpërthyen më 2018.

Edhe pse pak besojnë se ai mund t’i fitojë zgjedhjet, Mélenchon ka zhvilluar një fushatë të fuqishme, duke pasur numër të madh të mbështetësve në tubime zgjedhore.

Mélenchon hoqi dorë nga mësimdhënia dhe gazetaria për t’iu bashkuar politikave të krahut të djathtë në vitet ’70. Për një kohë të shkurtër ka qenë zëvendësministër i Arsimit në Qeverinë e Lionel Jospin në fillim të viteve 2000.

Pasi krijoi një parti të re të krahut të majtë, ai u bë deputet në Parlamentin Evropian dhe kjo është hera e tretë që merr pjesë në zgjedhjet presidenciale. Më 2017 ai kishte fituar 19.6 për qind të votave. Mélenchon po ashtu ka propozuar rritjen e pagës minimale për 10 për qind, apo 1,400 euro në muaj.

Programi i tij përfshin shpenzime të larta dhe reforma të gjera kushtetuese. Ai ka premtuar se do të ulë moshën e pensionimit për dy vjet, përkatësisht në 60, përderisa Macron mëton të bëjë të kundërtën.

Kritikët e akuzojnë se është shumë i butë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, pasi ai dëshiron që Franca të mos përfshihet dhe të jetë jashtë NATO-s.

Çfarë shanse ka për fitore?

Ai konsiderohet si kandidati më i fortë në mesin e kandidatëve të krahut të majtë. Por, qëndrimi i tij i butë ndaj luftës në Ukrainë, mund të bëjë që votuesit ta penalizojnë.

Éric Zemmour

Eric Zemmour gjatë një fjalimi në Paris të Francës në janar të vitit 2022.

Një gazetar, autor dhe komentues televiziv pa asnjë përvojë në zgjedhje dhe një bindje për nxitje të urrejtjes racore, zakonisht nuk do të konsiderohej si person i përshtatshëm për garën presidenciale në politikën franceze.

Por, kandidati i ekstremit të djathtë, Éric Zemmour, 63 vjeç, ka ndërtuar një karrierë duke e pozicionuar vetëm kundër asaj që ai e quan “konsensus politikisht korrekt” dhe tani po ofron një “ripushtim”- Reconquête – të Francës.

Ai doli në skenë politike më 2021 gjatë një turneu për promovimin e një libri ku flitej për “rënien e Francës” për të cilën, ai kryesisht fajësonte imigracionin dhe Islamin.

  • Franca ndalon një grup të ekstremit të djathtë

Fillimisht ai u ngrit në anketa, duke ofruar nacionalizëm, që dukej më i ashpër sesa i Marine Le Pen. Megjithatë, mbështetja ndaj tij ka rënë, teksa ai ka ashpërsuar propozimet.

Plani i tij për krijimin e një ministrie për ri-imigrim, për dëbimin e 100,000 imigrantëve çdo vit, veçanërisht në Algjeri, Marok dhe Tunizi, është dënuar nga Le Pen, duke i cilësuar këto ide si të padrejta dhe “anti-republikane”.

Zemmour nxiti reagime të shumta pasi minimizoi fajin e Philippe Pétain, kreut të Qeverisë kolaboracioniste të Francës, në dëbimet naziste të hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Po ashtu, qëndrimet e tij për Rusinë janë të turpshme: më 2018 ai kishte deklaruar se ëndërronte “që të ketë një Putin francez”.

Ai po ashtu dëshiron që shtetasve me shtetësi të dyfishtë që kanë probleme me ligjin t’iu hiqet shtetësia franceze dhe po ashtu kërkon që të ndalohet veshja e hixhabit në publik.

Çfarë shanse ka për fitore?

Sa i përket shanseve për të arritur në balotazh, ai ka pak gjasa, pasi votuesit e ekstremit të djathtë e shohin Marine Le Pen si kandidate më të qëndrueshme.

Kandidatët e tjerë në zgjedhjet presidenciale në Francë janë: konservatorja Valérie Pécresse, Yannick Jadot nga të Gjelbrit, Fabien Roussel nga partia komuniste, socialistja Anne Hidalgo, Nathalie Arthaud nga krahu i majtë si dhe Philippe Poutou, po ashtu majtist. Në zgjedhjet presidenciale po ashtu garnon kandidati i qendrës, Jean Lassalle dhe liberali, Nicolas Dupont-Aignan./ REL

J.GJ./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave