Përballë protestave në shkollat e mesme dhe shtrirjes së tyre edhe në universitete, kryeministri Sébastien Lecornu ka thirrur me urgjencë një mbledhje ndërministrore të krizës, pas incidenteve dhe përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Nxënësit e shkollave të mesme po bllokojnë hyrjet në klasa, duke kërkuar zëvendësimin e mësuesve që mungojnë, klasa me më pak nxënës dhe kushte më të mira në shkolla. Mbi 300 institucione arsimore janë përfshirë në të gjithë Francën, nga Parisi deri në Marsejë. Në Nantes, holli i shkollës së mesme “Nelson Mandela” u shkatërrua nga një zjarr, i cili u përhap edhe në fasadën e godinës përpara se të shuhej nga zjarrfikësit. Protestat në shkollat franceze vijojnë.

Rajoni Provence-Alpes-Côte d’Azur denoncoi se në shkollën e mesme “Victor Hugo” në Marsejë, “drejtori, zëvendësdrejtori, sekretarja e përgjithshme dhe përgjegjësi i ekipit janë sulmuar dhe janë spërkatur me benzinë”.

Sipas informacioneve të dhëna nga autoritetet rajonale, “kjo tentativë për zjarrvënie ndodhi brenda institucionit dhe shkaktoi kaos përpara shkollës”.

“E gjithë stafi u strehua brenda godinës për t'u vënë në siguri, ndërsa policia dhe zjarrfikësit ndërhynë në vendngjarje. Drejtuesit e institucionit do të bëjnë kallëzim”, shtoi administrata rajonale, duke deklaruar se ishte kaluar një kufi “i papranueshëm”.

Të mërkurën, 625 persona u ndaluan dhe 83 policë dhe xhandarë u plagosën. Që nga nisja e bllokimeve në fillim të javës, 119 persona mes nxënësve dhe personelit të shkollave kanë mbetur të plagosur.

IGPN-ja, Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare, i njohur ndryshe si “policia e policisë”, ka hapur tre hetime për veprimet e efektivëve, të cilët kanë plagosur rëndë disa prej të rinjve që po protestonin.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, ka mbrojtur veprimet e forcave të rendit, duke thënë se ndërhyrjet kanë qenë “proporcionale”. Megjithatë, siç ka ndodhur shpesh gjatë protestave në Francë, nga protestat e “Jelekëve të Verdhë”, te ato kundër reformës së pensioneve, protestat e 1 Majit dhe manifestimet studentore, janë regjistruar shumë raste tejkalimi.

Nga njëra anë, protestuesit paqësorë, të cilët përbëjnë shumicën, po kalojnë në plan të dytë për shkak të veprimeve të dhunshme, ndonjëherë të kryera nga persona që nuk kanë lidhje me shkollat e mesme. Ata kanë kryer zjarrvënie dhe akte vandalizmi kundër vetë strukturave shkollore, pikërisht gjatë protestave ku kërkohet përmirësimi i këtyre strukturave.

Nga ana tjetër, disa policë janë filmuar në video teksa duket se shkelin rregullat e ndërhyrjes: duke goditur me shkopinj gome të rinjtë edhe në momente kur një veprim i tillë nuk duket i nevojshëm, ose duke qëlluar në lartësinë e trupit dhe nga distanca e afërt me granata lotsjellëse apo me plumba gome, të cilët mund të shkaktojnë plagë të rënda.

Në Tours, në veçanti, një i ri është plagosur rëndë në kokë dhe është dërguar me urgjencë në spital, pasi dyshohet se është goditur nga një LBD, një armë që përdoret nga policia franceze për lëshimin e predhave të ashtuquajtura “mbrojtëse”.

Situata tashmë shumë e tensionuar po ndërlikohet më tej edhe për shkak se po përdoret politikisht nga partitë, në kulmin e fushatës për zgjedhjet presidenciale franceze, të cilat do të zhvillohen pranverën e ardhshme.

Lideri i France Insoumise, Jean-Luc Mélenchon, akuzon qeverinë dhe policinë se po i shtypin protestat me ashpërsi të veçantë në periferitë e qyteteve, të njohura si banlieues. Ai ka shprehur mbështetje të plotë për të rinjtë dhe u ka bërë thirrje militantëve dhe përfaqësuesve politikë të France Insoumise të dalin në rrugë dhe të vendosen mes nxënësve dhe forcave të rendit.

Kryebashkiaku i Saint-Denis, Bally Bagayoko, nga France Insoumise, doli në rrugë mes të rinjve dhe shprehu solidaritetin me protestuesit, duke kënduar dhe kërcyer me ta. Ai mbrojti gjithashtu veprimet e dhunshme si përgjigje ndaj metodave të policisë.

“Reagimi i dhunshëm mund të jetë legjitim ose i kuptueshëm përballë veprimeve të forcave të rendit”, deklaroi ai.

Për këtë deklaratë, prefekti e ka referuar atë për “nxitje për kryerjen e veprave penale”.

E djathta franceze dhe në veçanti kandidatja presidenciale Marine Le Pen kërkon, nga ana tjetër, rivendosjen e rendit dhe ka sulmuar Mélenchonin, i cili sipas saj “mban një përgjegjësi të rëndë për situatën që vendi ynë po përjeton sot”.

Le Pen e akuzoi atë se kishte shkuar “përpara shkollave të mesme për të nxitur të rinjtë”, se u kishte bërë thirrje “militantëve të tij për kryengritje” dhe se kishte dërguar “deputetët e tij përpara shkollave”.

Qeveria franceze, ndërkohë, paraqet sot një projektligj të vështirë për buxhetin, në një kohë kur përballet me një situatë shumë të rëndë të financave publike.

Ekzekutivi druhet se protesta e nxënësve të shkollave të mesme mund të zgjerohet jo vetëm në universitete, por edhe në shtresa të tjera të shoqërisë, në një periudhë kur çmimet e karburanteve janë të larta dhe fuqia blerëse e shtresave të mesme dhe atyre me të ardhura më të ulëta po bie gjithnjë e më shumë./CorrieredellaSera