Rey Manaj ishte heroi i Kombëtares në fitoren 0-1 në Serbi. Lushnjari ka treguar se të gjithë ishin të emocionuar para duelit, aq sa nuk e mendonin një fitore në fushën e rivalëve.
Sulmuesi rrëfen se do ishte njësoj i lumtur pas suksesit, edhe nëse golin nuk do e kishte shënuar ai.
"Normalisht që nuk e kisha menduar që do të shkonim në Serbi dhe do të fitonim ndeshjen. Edhe po mos të kisha shënuar unë, po ta kishtë bërë dikush tjetër, normal që do isha akoma më i kënaqur. Rëndësi ka që morëm tre pikët dhe bëmë historinë. Të gjithë lojtarët që luajtëm, ata që u futën në pjesën e dytë dhe që nuk luajtën, besoj që të gjithë kemi të njëjtën vlerë", tha Manaj.
Më pas sulmuesi u ndal edhe te festa me 'shqiponjë' pas golit, duke thënë se nuk ishte diçka e planifikuar, por emocion i momentit.
"Të gjithë lojtarët kishim emocione para ndeshjes. Shqiponjën e bëra sepse ishte diçka që e ndjeva në atë moment, nuk e kisha planifikuar më parë dhe e ndjeva ashtu. Nuk ishte provokim as ndaj lojtarëve serbë, vetëm doja të festoja me shqiponjën. Kishim presion dhe shkoi çdo gjë ashtu siç donim", mbylli lushnjari fjalën për FSHF.
Tanimë Kombëtarja është pranë zonës play-off dhe mban vendin e dytë në Grupin K kualifikues, duke ëndërruar Botërorin. Ndeshjet e radhës për kuqezinjtë luhen më 13 nëntor kundër Andorrës në udhëtim dhe më 16 nëntor kundër Anglisë në Tiranë.
Komente









