Zbulohen për herë të parë emrat e grupit koordinues të protestave që po mbushin tanimë javën e katërt të zhvillimit të tyre në Tiranë. Një letër drejtuar ambasadave në Tiranë mban emrat e 13 prej tyre. Letra, e cila përmban kërkesat tanimë të bëra publike që prej katër ditësh, përfaqëson edhe aksionin e parë zyrtar të protestës, e cila duket se po kërkon edhe njohjen e diplomacive perëndimore.

***

Ndërsa prej 27 ditësh ka mbizotëruar sheshin përpara Kryeministrisë me manifestimet e përnatshme, protesta ka më në fund edhe emrat e të paktën disa prej atyre që janë pjesë e Grupit Koordinues të Protestave. Zbulimi i tyre nuk u bë përmes shfaqjes në shesh, por përmes një letre të dërguar këtë të premte ambasadave kryesore në vend, të cilën Report Tv e ka siguruar. Janë 13 firmëtarët e letrës, të cilët që në fillim prezantohen se po shkruajnë në emër të Grupit Koordinues. Mes tyre janë disa nga figurat kryesore që janë shfaqur edhe duke folur disa herë në shesh, si Luçiana Kokaj, Edviol Kulluri apo Arben Kola.

Me thirrjen drejtuar ambasadorëve, që “të marrin në konsideratë seriozitetin dhe sinqeritetin e kësaj lëvizjeje qytetare dhe të mbështesin një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të krizës aktuale politike në Shqipëri”, Grupi Koordinues i Protestës realizon në këtë mënyrë edhe aksionin e tij të parë zyrtar.

Në letër ata paraqesin kërkesat, të cilat katër ditë më parë u bënë publike në shesh nga Dritan Goxhaj, duke nisur nga dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë, te krijimi i një qeverie teknokrate kalimtare, te një reformë kushtetuese e cila të përfshijë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, të ligjit për financimin e partive dhe kufizimin në vetëm dy mandate për kryeministrin. Kontratën e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, si dhe anulimin e një sërë ligjesh që lidhen me zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore dhe investimet strategjike.

Në fund të letrës, 13 pjesëtarët e Grupit Koordinues shprehen se “këto kërkesa përfaqësojnë shprehjen e qartë dhe legjitime të një populli sovran të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit”.

Nënshkruesit e letrës në emër të Grupit Koordinues janë:
Arben Kola
Edviol Kulluri
Gentjan Progni

 LETRA E PLOTË:

Shkëlqesive Tuaja,

Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve të vendeve perëndimore

të akredituar në Republikën e Shqipërisë

Lënda: Njoftim mbi kërkesat e protestuesve

Shkëlqesi,

Në emër të Grupit Koordinues të Protestës, që përfaqëson një lëvizje të gjerë dhe paqësore qytetare, e cila ka mobilizuar qytetarët shqiptarë për njëzet e shtatë ditë radhazi, kemi nderin t’ju drejtohemi me frymë transparence, përgjegjësie demokratike dhe respekti për vlerat që bashkojnë vendin tonë me komunitetin euroatlantik.

Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues të zhvillimit të saj demokratik. Qytetarët e mbledhur në mënyrë paqësore në sheshet publike në mbarë vendin po ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për shprehje qytetare, të udhëhequr nga një angazhim i thellë për shtetin e së drejtës, qeverisjen demokratike dhe dinjitetin njerëzor.

Në këtë kontekst, Grupi Koordinues i Protestës paraqet me respekt kërkesat e mëposhtme, të cilat pasqyrojnë vullnetin e popullit sovran:

1. Dorëheqjen e Kryeministrit dhe të Qeverisë aktuale, si një hap thelbësor dhe i panegociueshëm drejt ripërtëritjes demokratike.

2. Krijimin e një qeverie kalimtare teknike, jopartiake, me mandat dymbëdhjetëmujor për të mbikëqyrur një proces reformash të besueshëm dhe të paanshëm.

3. Reformë tërësore kushtetuese, të mbështetur në parimin e barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë para ligjit dhe që të miratohet përmes referendumit popullor.

Kjo reformë duhet të përfshijë, ndër të tjera:

Reformimin e Kodit Zgjedhor.

Reformimin e legjislacionit që rregullon financimin e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.

Vendosjen e kufizimit të mandateve për postin e Kryeministrit, duke kufizuar çdo individ në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë karrierës së tij politike.

4. Korrigjime të menjëhershme ligjore, duke përfshirë:

Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligji nr. 21/2024).

Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si "Paketa e Maleve".

Shfuqizimin e kuadrit ligjor që rregullon Investimet Strategjike.

5. Hartimin e një kontrate të re shoqërore ndërmjet qytetarëve dhe shtetit, që do të zhvillohet përmes konsultimeve të gjera me intelektualë të pavarur, ekspertë teknikë dhe përfaqësues jopartiakë të shoqërisë civile, në përputhje me propozimet e lëvizjes qytetare.

Këto kërkesa përfaqësojnë shprehjen e qartë dhe legjitime të një populli sovran, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës. Me respekt ju bëjmë thirrje që të merrni në konsideratë seriozitetin dhe sinqeritetin e kësaj lëvizjeje qytetare dhe të mbështesni një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të krizës aktuale politike në Shqipëri.

Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo komunikim të mëtejshëm dhe besojmë në angazhimin tuaj të vazhdueshëm për demokracinë dhe dinjitetin njerëzor në Shqipëri, si pjesë e vlerave tona të përbashkëta evropiane.

Ju lutemi pranoni shprehjen e konsideratës sonë më të lartë.

lajm në përditësm...