TIRANË- Qytetarët janë mbledhur në ditën e 27-të në protestë, duke mos ‘harruar’ listën me kërkesat utopike që fillimisht u prezantuan nga Dritan Goxhaj. Nga sheshi “Skëndërbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë mes thirrjeve “Edi Rama ka mbaru, edhe Sala ka mbaru”, “Rama në burg, Berisha në burg”.

Prej disa ditësh, kërkesat e artikuluara nga grupi koordinues janë dorëheqje e panegociueshme e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike 12 mujore dhe ndërhyrje të rëndësishme kushtetuese. Mes të tjerash, ata kanë kërkuar ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate. Kërkesat janë prezantuar fillimisht nga Dritan Goxhaj, por sot i rilexoi një tjetër protestuese, Arvina Lleshi

Protestuesit janë kujdesur t’i japin zë edhe çështjes çame përmes një pankarte me mbishkrimin “çështja çame kërkon veprim, jo fjalë”, ndërsa sot shënohet 82-vjetori i gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:38
VIDEOLAJM/ Vijon 'tradita', vogëlushët pikturojnë në shesh, prindërit në protestë

Vogëlushë të shumtë kanë dalë në shesh bashkë më prindërit në ditën e 27-të të protestës në Tiranë. Por, ndërsa prindërit i janë bashkuar tubimit para Kryeministrisë, për të vegjlit kanë gjetur një zgjidhje simbolike. Ata po qëndrojnë në shesh duke pikturuar.

Ora 20:37
'Tokat afër meje do i blejë serbi dhe iraniani me ligjin e ri', protestuesja: Na i larguan fshatarët

1782497405_folesja.jpg

Protestuesit morën fjalën njëri pas tjetrit për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë. Gerta Logu, një protestuese nga Mirdita, ngriti shqetësime për pronat, bujqësinë, administratën publike, shëndetësinë dhe emigracionin, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit.

“Jam Gerta nga Mirdita. Dy arat që kanë ngjitur me stallën mund të vijë një rus, një serb, një iranian që t'i blejë. Unë nuk i blej dot dhe këtë ma mundësoi qeveria. Kush ka qenë prej jush në spital dhe nuk është ndjerë i poshtëruar? Kush prej jush ka kaluar në doganë dhe nuk është ndjerë i nënshtruar? Administrata publike duhet depolitizuar. Është e pamundur kështu. Injorantët po udhëheqin Mirditën.

Ne jemi këtu kundër të gjithë atyre që janë ulur në atë karrige. Ne jemi këtu për ato nëna që puthin telefonin. Kam lënë Europën për të ardhur në Mirditë, por jo prej teje. Kam ardhur që fëmijët e mi të rriten me gjyshërit. Jam këtu për të gjithë ata njerëz që janë në Amerikë. Ky i hoqi fshatarët nga fshati. Nuk e vlerëson prodhimin vendas. I do të huajat. Si do të ketë turizëm? Si presim turizëm me pulat e Brazilit? Ju po hani kecat brazilianë. Ne na helmojnë. Na kanë helmuar arsimin. Duam dorëheqjen tënde. Po ne na mban Serbia kapur prej fyti”, tha ajo.

Ora 20:14
Emigranti shqiptar në protestë: Ta rrëzojmë Ramën brenda një muaji e ta shpallim non grata, të bllokojmë aeroportet e portet

1782497336_folesi.jpg

Një emigrant shqiptar tha se i është bashkuar protestës me synimin për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama. Ai iu sugjeroi protestuesve që të bllokojnë aeroportin e Rinasit dhe portet dhe Ramën ta rrëzojnë brenda një muaji. Madje sipas tij, ta shpallin edhe non grata.

“Do rri këtu derisa të rrëzojmë diktatorin e fundit në Europë. Ne duhet ta rrëzojmë brenda 1 muaji, bllokojmë aeroporte, porte, kuvend, kryeministri. Të bllokojmë gjithçka se nuk ikën ky, është si Vuçiç, nuk e lëshon. Të nxjerrin non grata 4 persona, Edi Ramën, Linda Ramën, Belinda Ballukun dhe Taulant Ballën”, tha ai.

Ora 19:54
Protestuesit nuk heqin dorë nga kërkesat utopike të Goxhajt, i rilexojnë sërish në protestën para Kryeministrisë

1782496616_kerkesat.jpg

Protestuesit kanë ripërsëritur kërkesat utopike drejtuar qeverisë, të prezantuara fillimisht nga Dritan Goxhaj. Kësaj radhe mikrofoni për t’i lexuar kërkesat iu besua një tjetër protestueseje, Arvina Lleshit.

“Deklaratë politike për të sqaruar protestuesit se kjo protestë kërkon: Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeveri teknike tranzitore jo partiake me mandat 12 mujor, ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit dhe miratimin me referendum popullor duke përfshirë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive, kufizmin e mandatit të krye në 2. Kërkojmë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e paketës së maleve, investimet strategjike. Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në plotësimin e kërkesave”, tha protestuesja.