Arratisja e katër ushtarakëve shqiptarë nga trajnimi ushtarak në një bazë në Angli, ka bërë që prokuroria e Tiranës të nisë hetimet për akuzën e “Mosparaqitjes në repart”.
Hetimet kanë nisur nga seksioni ushtarak në prokurorinë e kryeqytetit. Kallëzimi është depozituar nga Policia Ushtarake, që është në varësi të ministrisë së Mbrojtjes.
Reni Ajazi nga Gramshi dhe Aleksandër Shkulaku nga Pogradeci
Prokuroria thotë se nga fillimi i tetorit deri në mesin e nëntorit 2017 janë depozituar nga policia ushtarake 16 kallëzime penale kundër efektivë të ushtrisë që kanë vendosur të thyejnë betimin dhe mos paraqiten në repart.
VIDEO/ Raportimi nga redaksia e Report TV për dezertimin e 4 komandove
Ministria e Mbrojtjes: Çështja e dezertorëve në hetim
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për herë të parë pas publikimit të lajmit të dezertimit të 4 komandove shqiptarë në Londër. Ministria deklaron se 4 ushtarët që kanë qenë duke kryer detyrën e tyre jashtë vendit, nuk janë kthyer në Shqipëri pas përfundimit të saj.
Ndaj tyre është depozituar kallëzimi penal për dezertim, ndërsa prej disa javësh, çështja është në hetim. “Lidhur me lajmin e publikuar në media pasditen e sotme, zyra e shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes bën me dije se: 4 efektivë ushtarake, që kanë qenë duke kryer detyrën e tyre jashtë vendit, nuk janë kthyer në Shqipëri pas përfundimit të saj.
Sipas “Kodit Penal Ushtarak”, ndaj 4 efektivëve, pranë Prokurorisë së Rrethit, Tiranë është depozituar kallëzim penal “Për dezertim”. Prej disa javësh, çështja është në hetim nga ana e autoriteteve përkatese” deklaron ministria.
dy.b/shqiptarja.com










