Lista e familjeve që pritet të marrin bonusin e strehimit do të miratohet në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak dhe më pas 99 qytetarëve do t’ju paguhet një pjesë e qirasë ose 100% e saj.
Relacioni i bashkisë
Për të zgjidhur problemet e strehimit, bashkia ka ndërmarrë projekte të rëndësishme që krijojnë zgjidhje përfundimtare për strehimin nëpërmjet ndërtimit të banesave sociale me qira.
Bashkia vijon zbatimin e ofrimit të bonusit të strehimit, i cili është dokumenti që përcakton një shumë të ardhurash mujore që i takojnë një familjeje si ndihmë nga shteti për të mbuluar pjesërisht pagesën e qirave të tregut të lirë.
Pranë drejtorisë së strehimit sociale kanë dorëzuar dokumentacionin 209 familje. Pas shqyrtimit në komisionin e strehimit, u vu re se 105 prej tyre kishin mangësi në dosje, për rrjedhojë do të trajtohen në një periudhë të dytë. Po ashtu, pesë aplikantë që plotësojnë kushtet, aktualisht trajtohen me bonus nga ministria e zhvillimit urban.
Për këto, bashkia vendos që në momentin e mbarimit të afatit të përfitimit të pagesës nga MZHU do të trajtohen nga Bashkia e Tiranës (me dokumentacionin të rinovuar). Pas shqyrtimit të dokumenteve, Komisioni i strehimit dërgon në këshill emrat e 99 aplikantëve të cilët përfitojnë bonus çdo muaj. Sakaq, vetëm 16 prej tyre përfitojnë mbulim të plotë të qirasë, 100%.
Bëhet fjalë për familje që banojnë në afërsi të landfillit të Sharrës, ato me probleme social-ekonomike e shëndetësore, familje me urdhër mbrojtje dhe ato të miratuara me vendime të mëparshme. Efektet financiare prej afro 973 mijë lekë në muaj dhe do të përballohen nga bashkia nëpërmjet fondit të posaçëm për “Bonuset e strehimit”.
Në kuadër të përmbushjes së detyrave dhe funksionit të saj për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, bashkia e Tiranës po zbaton një sërë projektesh për cilësinë e kushteve të jetesës së kategorive të ndryshme sociale.
Familjet e prekura nga fatkeqësitë
Gjithashtu bashkia ka vendosur të dëmshpërblejë familjet të cilat janë prekura nga fatkeqësitë. Kështu 24 familje në kryeqytet do të marrin dëmshpërblim për dëmet që u është shkaktuar nga zjarri, përmbytjet apo ndonjë fatkeqësi tjetër.