Durrës/ Kush është shoferi i armatosur që nuk ndaloi automjetin luksoz dhe përplasi policët, momenti kur efektivët e ndjekin me vrap (VIDEO)

DURRËS - Hysen Pici është autori i armatosur që nuk iu bind punonjësve të policisë për të ndaluar automjetin luksoz 'Range Rover' dhe vijoi lëvizjen me shpejtësi duke i përplasur. Për pasojë njëri prej efektivëve, i identifikuar si G.M., mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.

Report TV ka siguruar momentin nga kamerat e sigurisë që tregojnë se Pici largohet me vrap me qëllim që të mos kapet, por efektivët e ndjekin nga pas derisa bëjnë të mundur arrestimin e tij. Sipas forcave blu, Pici kishte me vete armë zjarri pistoletë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 22:40, në lagjen nr 1, Durrës kur Pici po lëvizte në sens të kundërt.

Grupi hetimor në bashkëpunim me AMP, nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e  plotë të  rrethanave  dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:04
Zëvëndësdrejtori i Policisë viziton te Trauma efektivin e plagosur dje në Durrës: Ndërhyrje e guximshme

Zëvëndësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Albert Dervishaj, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Drejtues i Parë Neritan Nallbati, vizituan në spitalin e Traumës në Tiranë, punonjësin e Policisë së Shërbimeve të Posaçme Operacionale në DVP Durrës, i cili u dëmtua gjatë ndërhyrjes për të ndaluar një drejtues mjeti që qarkullonte në sens të kundërt të lëvizjes dhe me armë zjarri.

Zv/drejtori i Përgjithshëm Albert Dervishaj, në emër dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, i uroi punonjësit të Policisë shërim të shpejtë, dhe e falënderoi për guximin dhe vendosmërinë për t’u përballur me paligjshmërinë dhe  krimin.

Dervishaj gjatë bisedës me punonjësin e Policisë të dëmtuar dhe me kolegët e tij u shpreh:

“Veprime të tilla të guxishme, janë inkurajim për të gjithë punonjësit e Policisë, por mbi të gjitha janë indicje për qytetarët që të besojnë dhe të mbështesin akoma më shumë Policinë, pasi punonjësit e Policisë sakrifikojnë shumë, madje në raste të veçanta deri në më sublimen, për të mirën e përgjithshme dhe në këtë kuadër dëshiroj të përgëzoj gjithë grupin e punës që ishte mbrëmë në detyrë dhe u përball me një drejtues mjeti të armatosur dhe nën ndikimin e alkoolit, i cili duke qarkulluar në sens të kundërt nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar por përkundrazi, rrezikoi jetët e tyre.

Ndërhyrja e guximshme, si dhe vendosmëria që treguan gjatë ndjekjes dhe arrestimit të tij, pavarësisht se drejtuesi i mjetit tentoi të largohej duke mbajtur në dorë një armë zjarri, tregon edhe njëherë se Policia e Shtetit është e aftë dhe e vendosur për t’u përballur dhe për ta luftuar krimin".

Drejtori Vendor i Policisë Durrës Neritan Nallbati falënderoi Zv/drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z.Dervishaj, dhe nëpërmjet tij Drejtorin e Përgjithshëm Gledis Nano, për mbështetjen dhe siguroi familjarët e punonjësit të Policisë se janë marrë të gjitha masat që punonjësi i Policisë, 22-vjeçari G. M. të ketë të gjithë trajtimin e duhur mjekësor dhe të gjithë vlerësimin e merituar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Ora 09:56
Durrës/ Shoferi i armatosur që përplasi policët me makinën luksoze dyshohet se ishte nën efektin e drogës

 

Burime pranë policisë bëjnë me dije se Hysen Pici, me origjinë nga Shijaku, dyshohet se ishte nën efektin e lëndëve narkotike kur përplasi efektivët gjatë mbrëmjes së djeshme.

Mësohet se i është bërë testi për drogë dhe alkool, por janë dërguar analizat në Tiranë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • emigranti: 10/06/2022 15:07

    Kush eshte?! Nje nga te fortet shqiptare qe policia i le te kullosin lirisht dhe te terrorizojne njerezit. E quajne Hysen Pi_c_ka ...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?