Një 42-vjeçar është arrestuar nga Policia në Tiranë, pasi akuzohet për kultivim të lëndëve narkotike.
Bëhet fjalë për 42-vjeçarin Jetmir Muka, i cili sipas policisë se kishte improvizuar një ambient në territorin malor të fshatit Mukje, të cilin e kishte përshtatur për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e tyre për shitje.
Ndërsa po ashtu është vënë në hetim edhe një 59-vjeçar, i cili sipas polcisë kishte dijeni për këtë veprimtari dhe nuk e kishte kallëzuar.
Policia ka sekuestruar reth 516 gramë kanabis.
“Në vijim të operacioneve të Policisë së qarkut Tiranë, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe si rezultat i ndjekjes dhe hetimit të indicieve të marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin “Improvizimi”.
Gjatë operacionit u arrestua shtetasi J. M., 42 vjeç dhe nisi procedimi penal për shtetasin B. M., 59 vjeç.
42-vjeçari dyshohet se kishte improvizuar një ambient në territorin malor të fshatit Mukje, të cilin e kishte përshtatur për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e tyre për shitje, ndërsa shtetasi B. M. dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari dhe nuk e kishte kallëzuar.
Gjatë kontrollit, nga ky ambient u sekuestruan 516 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente












