VLORË- Katër mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), janë sekuestruar nga policia e Vlorës.

Në pranga ka rënë Petrit Ndoji, 51-vjeç, banues në Lezhës, të cilit ju gjetën 4 minat në kroskotin e makinës tip ‘Ford Fiesta’ me të cilën po udhëtonte në rrugën ‘Gjergj Kastrioti’. Policia ka dyshime se minat do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale. Këto mina u sekuestruan në kuadër të operacionit “Knock Out 3”.

Policia ndau pamjet nga momenti i operacionit kur neutralizohet nga forcat blu 51-vjeçari, të cilit i gjetën të fshehura lëndët eksplozive.

'Shërbimet e Policisë, në rrugën “Gjergj Kastrioti”, ndaluan automjetin tip “Ford Fiesta”, që drejtonte i arrestuari. Gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 4 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.'- njofton policia.

10 gusht në pranga të policisë në kuadër të një operacioni të ngjashëm, po në Vlorë, u arrestua xhaxhai bashkë me nipin të cilët kishin dy mina me telekomandë me vete brenda në makinë.

Policia arrestoi Fatjon dhe Ergys Gjonaj, 33 dhe 19 vjeç, banues të Laç, të cilëve ju gjetën në kroskotin e makinës dy minat me telekomandë. Këto mina ishin të programuara për shpërthim në distancë dhe sipas policisë dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale dhe ishin të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatorë për shpërthim. Këto mina u sekuestruan në kuadër të operacionit “Knock Out 2”.

Ndërsa në kuadër të operacionit 'Knock Out' në shkurt të këtij viti prangosën Bledar Ukshini, 31-vjeç dhe Ardit Qamluku, 21-vjeç, të arrestuar po nga policia e Vlorës, pasi u kapën me 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë. 

Sipas policisë dyshohet se 2 të rinjtë, që u prangosën në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do t’i shisnin minat, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro.   

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:14
Mina nga Miloti për grupet kriminale në Vlorë, do shiteshin për 10 mijë euro

1694590471_4855.jpg

Katër minat me telekomandë që iu kapën Petrit Ndojit nga Lezha do të shiteshin për 10 mijë euro.

Minat me telekomandë me eksploziv C4, ishin fshehur në kroskotin e automjetit tip ‘Ford Fiesta’ me të cilën po udhëtonte në rrugën ‘Gjergj Kastrioti’ ku dhe u krye arrestimi.

Ndërhyrja e policisë ka ardhur sapo Petrit Ndoji është futur në qytetin bregdetar aty ku do dorëzonte minat.

Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se ka dyshime që 51-vjeçari, me precedent të mëparshëm kriminal merrte minat me telekomandë në zonën e Milotit dhe nga aty i shiste në Vlorë për llogari të grupeve kriminale. Edhe 4 minat që u kapën do shiteshin për 10 mijë euro, mëson Tv klan.

Ora 10:16
Dy furgona i prenë rrugën, momenti i arrestimit të 51-vjeçarit në Vlorë që kishte mbushur makinën me mina! Efektivët të armatosur e prangosin

 

Policia ka publikuar pamjet e arrestimit të 51-vjeçarit Petrit Ndoji në Vlorë, pasi iu gjetën në automjetin ku udhëtonte 4 mina me telekomandë me eksploziv C4. Siç, shihet në video dy furgona i prenë rrugën makinës ku udhëtonte 51-vjeçari nga Lezha dhe nga aty dalin efektivë të armatosur.

Ora 09:49
Eksploziv C4 në makinë, Balla përshëndet operacionin në Vlorë: Grupi kriminal kishte në plan akte të rënda kriminale e terroriste

Ministri i Brendshëm Taulant Balla përshëndeti aksionin e suksesshëm të strukturave të policisë së Vlorës, të cilat neutralizuan një grup të rrezikshëm kriminal, "i cili dyshohet se kishte në plan akte të rënda kriminale dhe terroriste, përmes përdorimit të lëndëve plasëse"

Gjatë aksionit të policisë u sekuestruan disa mina me telekomandë dhe një shtetas u arrestua gjatë këtij aksioni, pasi kishte vendosur eksploziv C4 poshtë një makine.

Ministri Balla ka përshëndetur menjëherë strukturat e policisë së Vlorës me atë në një postimi në Facebook:

“Policia e Shtetit ka goditur një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë, duke parandaluar kështu ngjarje të rënda kriminale dhe terrori, për shkak të përdorimit të lëndëve plasëse".

Gjithashtu Ministri Balla ka vlerësuar angazhimin e strukturave të policisë së Vlorës, në parandalimin, zbulimin dhe neutralizimin e akteve kriminale dhe për kapjen e autorëve të tyre.

“Kam besim se Policia e Vlorës do të bëjë detyrën edhe në zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të reja dhe më të vjetra për vendosjen para drejtësisë të personave të dyshuar,” – shprehet Ministri i Brendshëm në statusin e tij përgëzues për policinë e Vlorës.

 

Balla thekson gjithashtu se “qytetarët presin më shumë prej nesh”, duke nënkuptuar angazhimin e të gjitha strukturave të tjera në luftën kundër fenomeneve të krimit në vend.