Akademikët e Shqipërisë dhe Maqedonisë kanë vendosur të zgjidhin së bashku problemet që hapi botimi i një enciklopedie në Maqedoni duke krijuar një komision të përbashkët rishikimi që nis punën në qershor. Komisioni ka si qëllim që të ofrojë një interpretim të ri për marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe popullit shqiptar.

“Ky këshill që do formohet, do të zgjidhë problemet dhe pyetjet e hapura”, tha Gudar Beqiraj, kryetar i Akademsië shqiptare të Shkencave, për Southeast European Times.
Ndërsa kreu i akademikëve maqedonas Vlado Kambovski sugjeron se “ duhet ngritur një akademi ballkanike për të zgjidhur gjithë pyetjet e ngritura për historinë dhe shkencën”.

Akademikët e të dy vendeve do të mblidhen në Ohër në qershor për të gjetur mendimin e përbashkët në çështje të ndryshme të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase.

Një nga temat e nxehta është Enciklopedia Maqedonase e cila me interpretimet e saj se shqiptarët janë të ardhur të vonshëm në Ballkan ngjalli reagime të shumta deri sa botimi i saj u ndërpre në 2009.

(ep/shqiptarja.com)