Sytë e të gjithë shqiptarëve sot janë në Prishtinë. Momenti historik po afron dhe ëndrra botëror është vetëm pak orë larg. Duke filluar nga ora 20:45 “dardanët” do të zbresin në fushë në “Fadil Vokrri” të tejmbushur për finalen “play off”.

Në Prishtinë të gjithë flasin për ndeshjen, ndërsa drejt kryeqytetit të Kosovës kanë udhëtuar me mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat.

Na kampin verdheblu atmosfera është shumë pozitive. Një ditë më parë trajneri Foda thotë se mundësinë për të shkuar në Amerikë janë të barabarta me Turqinë.

“Ekipi i Turqisë është shumë i fortë edhe në aspektin e lojtarëve individual si Yildiz, Guler e Calhanoglu, janë kualitativ, por dhe ne jemi të mirë. Jemi në finale me plot meritë, gjasat për të kaluar më tej janë 50 me 50. Ne do të japim gjithçka për të fituar", tha trajneri i Kosovës Franco Foda.

Trajneri pritet t’i besojë një formacioni të balancuar për përballjen historike, identik sikurse ai në fitoren në udhëtim te Sllovakia.

Në portë konfirmohet Arijanet Muric, ndërsa mbrojtja me tre lojtarë, Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi dhe Albian Hajdari – synon stabilitet dhe disiplinë ndaj një sulmi të rrezikshëm turk.

Në krahë, Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni Hoxha pritet të kenë rol të dyfishtë, si në mbrojtje ashtu edhe në fazën ofensive. Mesfusha me Elvis Rexhbecajn, Veldin Hoxhën dhe Florent Muslijën ofron energji dhe kreativitet, me të fundin që pritet të shtojë dinamikë në repartin sulmues.

Në sulm, përzgjedhësi Foda i beson dyshes Fisnik Asllani dhe Vedat Muriqi, me këtë të fundit si pika kryesore referuese e skuadrës.

Para ndeshjes historike për mediat foli edhe Vedat Muriqi, i cili deklaroi se nëse Kosova kualifikohet në Botëror do të jenë gëzimi më i madh për popullin pas shpalljes së Pavarësisë në 2008. Ndërkohë qeveria e Albin Kurtit ka miratuar shpërblimin prej 500 mijë eurosh pas eliminimit të Sllovakisë, ndërsa ka premtuar 1 milionë euro për lojtarët në rast se shkojnë në Botëror.